Një alarm është ngritur që nga mëngjesi i së mërkurës në Mynihun verior, ku është duke u zhvilluar një operacion i madh policor. Forcat Speciale dhe dhjetëra zjarrfikës janë vendosur gjithashtu në zonë, ndërsa autoritetet po hetojnë një lidhje të mundshme të shpërthimeve në zonë me Oktoberfestin.
Si masë paraprake, festivali është mbyllur prej mëngjesit të sotëm dhe autoritetet thanë se do të mbetej i mbyllur deri të paktën në orën 5 pasdite.
Sipas informacioneve nga gazeta Bild, në qytet u dëgjuan shpërthime dhe të shtëna me armë zjarri . Rreth orës 04:40, zjarrfikësit morën një telefonatë për një zjarr në një shtëpi, ndërsa pak më vonë u regjistruan raportime për shpërthime të forta. Pak kohë më vonë, trupi i një burri me plagë nga arma e zjarrit u gjet pranë Liqenit Lerchenauer.
Policia beson se i ndjeri më parë kishte vendosur një kurth në shtëpinë, e cila sipas informacioneve u përkiste prindërve të tij dhe më pas i kishte vënë flakën, përpara se të kryente vetëvrasje.
Burri u gjet me një çantë shpine, gjë që po shkakton shqetësim tek autoritetet se mund të përmbajë eksplozivë. Zjarrfikësit janë në vendngjarje dhe po kontrollojnë zonën, ndërsa fillimisht qasja e policisë ishte e mundur vetëm me helikopter për arsye sigurie.
Autoritetet po kërkojnë gjithashtu një person tjetër që konsiderohet i zhdukur. Sipas policisë, prania e tij nuk përbën rrezik. Liqeni Lerchenauer është rreth pesë minuta larg me makinë nga shtëpia që u përfshi nga flakët. Policia ka rrethuar një zonë të madhe në Lerchenauer Straße në Mynihun verior dhe po këshillon banorët dhe shoferët të shmangin ose të devijojnë zonën përreth. Shkollat fillore dhe të mesme aty pranë në Toni-Pfülf-Straße do të mbeten të mbyllura derisa të përfundojë hetimi, tha policia.
Autoritetet zbuluan kërcënimin me bombë në Oktoberfest në një letër nga autori i dyshuar. Policia kontrolloi qendrën e ekspozitës për pajisje të tjera shpërthyese dhe u kërkoi punëtorëve të largoheshin nga zona.
“Aktualisht po hetojmë të gjitha drejtimet e mundshme. Po shqyrtojmë lidhjet e mundshme me vende të tjera në Mynih, përfshirë Theresienwiese-n”, tha policia në një deklaratë.
Oktoberfest është festivali më i madh folklorik në botë që zhvillohet në Mynih çdo vit në sheshin Terezinwiese në lagjen Ludwigsvorstadt-Isarvorstadt. Ai zgjat dy javë dhe përfundon në fundjavën e parë të tetorit. (A2 Televizion)