Shpërthimi i ri i Ebolës në Afrikë, ekspertët në alarm për përhapje të shpejtë e mungesë vaksine

Nga Rosalba Bejdo
19 Maj 2026, 23:06 | Bota

Organizata Botërore e Shëndetësisë të dielën e 17 majit shpalli shpërthimin e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos dhe Ugandë si një emergjencë shëndetësore publike me shqetësim ndërkombëtar.

OBSH tha se shpërthimi, i shkaktuar nga lloji “Bundibugyo” i virusit, nuk i plotëson kriteret e një emergjence pandemie, por se vendet që ndajnë kufij tokësorë me Republikën Demokratike të Kongos janë në rrezik të lartë për përhapje të mëtejshme.

Çfarë dimë për këtë shpërthim të ri të Ebolës dhe si është përhapur?

Sëmundja Ebola është një virus i rëndë, shpesh fatal, i cili shkakton ethe, dhimbje trupi, të vjella dhe diarre, dhe përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me lëngjet trupore të personave të infektuar, materialeve të kontaminuara ose personave që kanë vdekur nga sëmundja, sipas Qendrave Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Ky është shpërthimi i 17-të në Republikën Demokratike të Kongos (RDK) që nga zbulimi i tij në vitin 1976.

“Bundibugyo” është një lloj i virusit. Sipas OBSH-së, ka pasur dy shpërthime të mëparshme të këtij lloji.

Shpërthimi është "i jashtëzakonshëm" pasi nuk ka terapi ose vaksina specifike të miratuara për virusin Bundibugyo, ndryshe nga llojet Ebola-Zaire, tha ajo.

"Për fat të keq, Bundibugyo ka më pak kundërmasa të provuara sesa virusi ebola i Zaire-s, ku vaksinat kanë qenë shumë efektive në kontrollin e shpërthimeve", tha Amanda Rojek, Profesore e Asociuar e Emergjencave Shëndetësore, Instituti i Shkencave Pandemike në Universitetin e Oksfordit, në një deklaratë.

Qeveritë e Republikës Demokratike të Kongos (RDK) dhe Ugandës kanë konfirmuar raste, ku shpërthimi më rëndë ka prekur RDK-në.

Qendrat Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thanë të dielën se po koordinoheshin me Sudanin e Jugut për të monitoruar aktivitetin ndërkufitar dhe për të kufizuar përhapjen e mëtejshme ndërkombëtare.

OBSH-ja tha të dielën se u regjistruan tetë raste të konfirmuara në laborator, 80 vdekje të dyshuara dhe 246 infeksione të dyshuara.

Një rast tjetër në Goma, qyteti lindor i RDK-së i kontrolluar nga rebelët M23, u konfirmua në një deklaratë të lëshuar prej tyre të dielën.

Zyrtarët ugandanë konfirmuan gjithashtu një rast të dytë të dielën.

OBSH-ja, megjithatë, paralajmëroi se "ka pasiguri të konsiderueshme për numrin e vërtetë të personave të infektuar dhe përhapjen gjeografike të lidhur me këtë ngjarje në kohën e tanishme". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos