
Bosi famëkeq meksikan i drogës, Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur edhe si “El Mencho”, u varros nga familja e tij në një arkivol të artë të hënën. Udhëheqësi i kartelit vdiq pas një përplasjeje me armë zjarri në fund të shkurtit midis truprojave të tij dhe forcave speciale meksikane të dislokuara për ta kapur atë.
59-vjeçari, themelues i kartelit të frikshëm Jalisco New Generation (CJNG), ishte njeriu më i kërkuar në vend, ndërsa SHBA kishte ofruar një shpërblim prej 15 milionë dollarësh për informacione që çonin në arrestimin e tij.

Vdekja e tij shkaktoi dhunë masive me bazë hakmarrëse, gjatë së cilës anëtarët e kartelit i vunë flakën automjeteve dhe bllokuan rrugët në 20 shtete të Meksikës. Anëtarët e Gardës Kombëtare u vendosën në numër të madh për të parandaluar shpërthimin e një vatre të re dhune gjatë funeralit shumëngjyrësh pranë Guadalajara-s, në shtetin Jalisco, një bastion i kartelit, shkruan A2 CNN.

U panë kurora të mëdha me lule që po çoheshin në shtëpinë mortore përpara ceremonisë. Kënga tradicionale “El Muchacho Alegre” - “Djaloshi i qeshur”, u luajt ndërsa arkivoli i artë i Oseguera-s mbërriti brenda territorit të varrezave, raportuan mediat lokale.

Pas një ceremonie që zgjati një orë, të pranishmit, shumë prej të cilëve fshehën identitetin duke përdorur maska, ndoqën arkivolin teksa u çua drejt varrit. Mediat meksikane vunë në dukje se varri ishte relativisht i thjeshtë krahasuar me ata të bosëve të tjerë të drogës, të cilët shpesh kanë mauzole të mëdha. (A2 Televizion)