Një sulm vetëvrasës tronditi kryeqytetin sirian, Damask, të dielën, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 20 personave dhe plagosjen e 52 të tjerëve. Sulmi ndodhi në kishën e krishterë Mar-Elias, gjatë një shërbese fetare.
Sipas Ministrisë siriane të Shëndetësisë, sulmuesi hyri në kishë, hapi zjarr ndaj besimtarëve dhe më pas aktivizoi një pajisje shpërthyese që mbante me vete.
Ministria e Brendshme deklaroi se sulmuesi ishte anëtar i grupit terrorist Shteti Islamik, i cili dikur kontrollonte zona të mëdha në Siri dhe Irak.
Një dëshmitar i cituar nga agjencia e lajmeve AP tha se sulmuesi shoqërohej nga dy persona të tjerë, të cilët u larguan para se ai të hynte në kishë.
Ministri i Informacionit të Sirisë, Hamsa Mostafa, e dënoi ashpër sulmin dhe e cilësoi atë si “akt terrorist frikacak”. “Ky akt drejtohet kundër vlerave qytetare që na bashkojnë,” shkroi ai në rrjetin social X.
Ky është sulmi i parë i tillë në Siri pas disa vitesh qetësie, duke rikthyer frikën për rikthimin e dhunës ekstreme në vendin e përfshirë prej vitesh në luftë civile. (A2 Televizion)