Goditja e fortë e Presidentit Donald Trump ndaj emigracionit po ndikon gjithnjë e më shumë në klimën politike përpara zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor, ndërsa shqetësimi i publikut po rritet lidhur me mënyrën se si po veprojnë dhe sa larg po shtrihet veprimtaria e oficerëve federalë të emigracionit. Vrasja me armë zjarri e Renee Good, një nënë 37-vjeçare me tre fëmijë, më 7 janar në Minneapolis, ndezi fillimisht protestat. Pak më shumë se dy javë më vonë, një shtetas tjetër amerikan, Alex Pretti, u qëllua për vdekje nga oficerë federalë të emigracionit gjatë një përplasjeje në rrugë, e filmuar nga kalimtarë të rastit.
Autoritetet shtetërore dhe lokale nisën një hetim penal për vrasjen e Good, ndërsa një gjykatës urdhëroi ruajtjen e provave në rastin Pretti. Në të dyja rastet, videot e filmuara nga kalimtarë dhe deklaratat e zyrtarëve lokalë hodhën dyshime mbi versionet fillestare të autoriteteve federale.
Një sondazh Reuters/Ipsos, i kryer pas vdekjes së Good, tregoi se shumica e amerikanëve nuk e miratojnë mënyrën si po vepron ICE, me përçarje të dukshme edhe mes votuesve republikanë për sa i përket faktit nëse oficerët duhet të tregojnë më shumë kujdes për të shmangur dëmtimin e njerëzve.
Këto vrasje ndodhën ndërkohë që mijëra protestues, grupe për të drejtat civile dhe organizata për të drejtat e emigrantëve dolën në protesta në të gjithë vendin, duke kërkuar kufizime ndaj asaj që ata e përshkruajnë si një angazhim të paprecedentë të agjentëve federalë.
“Ligjërisht, agjentët e ICE lejohen të përdorin forcë, por kjo duhet të jetë forcë e arsyeshme. Të njëjtat ligje për përdorimin e forcës që vlejnë për çdo oficer federal të zbatimit të ligjit vlejnë edhe për oficerët e ICE. Për shembull, forca vdekjeprurëse, si përdorimi i armës së zjarrit, mund të përdoret vetëm kur ka një kërcënim të menjëhershëm për jetë nga dikush tjetër. Në përgjithësi, oficerët e ICE kanë autoritet ligjor të përdorin forcë gjatë arrestimeve, por janë të kufizuar nga kërkesa që forca të jetë e arsyeshme dhe proporcionale. Dhe mendoj se gjatë muajve të fundit kemi parë shumë raste ku oficerët e emigracionit nuk kanë përdorur forcë të arsyeshme apo proporcionale përballë kërcënimeve të perceptuara, apo edhe kërcënimeve që nuk ekzistonin fare”, tha Aaron Reichlin-Melnick, shkruan A2 CNN.
Agjencia e Emigracionit dhe Doganave (ICE), pjesë e Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS), është organi kryesor në SHBA për zbatimin e ligjit të emigracionit brenda territorit të vendit. E krijuar në vitin 2003, ICE kryen arrestime, ndalime dhe dëbime brenda vendit, si dhe zhvillon hetime penale që lidhen me kërcënime ndërkufitare.
“Kongresi në korrik i dha Presidentit Trump 30 miliardë dollarë për operacionet e zbatimit të ligjit nga ICE, që do të shpenzohen deri në fund të vitit 2029. Një pjesë e kësaj u rezervua posaçërisht që ICE të punësojë mbi 10 mijë oficerë të rinj. Kur këta të hyjnë në shërbim, kjo do të thotë se do të ketë më shumë se 22 mijë oficerë ICE në agjenci, duke e bërë ndoshta agjencinë më të madhe federale të zbatimit të ligjit në historinë amerikane.”
ICE përbëhet nga tre struktura kryesore:
Enforcement and Removal Operations (ERO) – përgjegjëse për arrestimet, ndalimet dhe dëbimet.
Homeland Security Investigations (HSI) – krahu hetimor që godet rrjetet e kontrabandës, trafikut të qenieve njerëzore, krimet financiare, krimin kibernetik dhe aktivitete të tjera kriminale ndërkufitare.
Office of the Principal Legal Advisor (OPLA) – përfaqëson qeverinë në procedurat administrative të emigracionit.
Roli i ICE është zgjeruar gjatë mandatit të dytë të Trump. Administrata Trump po rrit ndjeshëm zbatimin e ligjit të emigracionit, me 170 miliardë dollarë të planifikuara për agjencitë e emigracionit deri në shtator 2029 – një shumë historike. (A2 Televizion)