“Nuk ka lypsarë në Kubë”, ministrja jep dorëheqjen pas komentit

Nga A2 CNN
16 Korrik 2025, 14:44 | Bota

“Nuk ka lypsarë në Kubë”, ministrja jep

Ministrja e Punës e Kubës, Marta Elena Feitó Cabrera, është detyruar të japë dorëheqjen pas një vale reagimesh të ashpra të shkaktuara nga deklaratat e saj gjatë një seance të Asamblesë Kombëtare, ku ajo mohoi ekzistencën e lypsarëve në ishullin e drejtuar nga komunistët.

Feitó Cabrera deklaroi se në Kubë nuk kishte lypsarë dhe se personat që shihen duke kërkuar në mbeturina, në të vërtetë e bëjnë këtë me vetëdije për të fituar “para lehtë”. Ajo shtoi gjithashtu se ata janë “pjesëmarrës të paligjshëm në shërbimin e riciklimit”.

Këto komente provokuan zemërim të madh brenda dhe jashtë vendit, duke u parë si një shfaqje arrogante dhe e shkëputur nga realiteti i vështirë ekonomik që përjetojnë qytetarët kubanë, shkruan A2 CNN. Pamjet e njerëzve që kërkojnë ushqim në kazanë mbeturinash apo që flenë në rrugë janë bërë të zakonshme, ndërkohë që vendi përballet me mungesë ushqimi, ilaçesh, karburanti dhe ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike.

Presidenti kuban, Miguel Díaz-Canel, reagoi ndaj komenteve të ministres, pa e përmendur me emër, duke theksuar se udhëheqja nuk duhet të sillet me “përçmim” ndaj popullit apo të jetë “e shkëputur nga realiteti”.

Një grup intelektualësh dhe aktivistësh kubanë nënshkruan një letër publike, ku kërkuan shkarkimin e saj dhe e cilësuan deklaratën si “një fyerje ndaj popullit kuban”.

Në një akt të pazakontë për një shtet ku protestat dhe kritikat publike ndaj qeverisë janë të ndaluara me ligj dhe shpesh të ndëshkueshme me burg, reagimi i shpejtë dhe i hapur ndaj Feitó Cabrera dëshmoi tronditjen që ajo shkaktoi në opinionin publik. Dorëheqja e saj u pranua menjëherë nga Partia Komuniste dhe nga qeveria kubane. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos