“Bëjini presion Kievit të negociojë!”, Rusia: BE po financon vdekjen e ukrainasve

Nga Rosalba Bejdo
16 Korrik 2025, 14:41 | Bota

Ndërsa Presidenti amerikan Donald Trump ndryshon qasje ndaj luftës në Ukrainë, duke shtuar presionin ndaj Rusisë, kjo e fundit i bën thirrje që trysninë ta ushtrojë ndaj Kievit, në mënyrë që të pranojë vazhdimin e negociatave të paqes.

Zëdhënësi Dmitri Peskov e tha diçka të tillë, teksa komentoi deklaratat e Trump se ishte i zhgënjyer me Presidentin Putin: “Shumë deklarata janë bërë, shumë fjalë janë thënë lidhur me zhgënjimin, por ne duam të shpresojmë se paralelisht do të ushtrohet presion në palën ukrainase, pasi tani duket sikur Kievi po e interpreton çdo fjalë mbështjeje jo si sinjal për paqen, por për vazhdimin e luftës”. 

Mes raportimeve se ka inkurajuar liderin ukrainas të godasë Moskën e Shën Petersburgun, Presidenti amerikan Donald Trump tha për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë se diçka e tillë nuk duhet të ndodhë. Sipas tij, Zelensky nuk duhet të godasë Moskën dhe Vladimir Putin duhet të dakordësohet mbi një armëpushim brenda afatit 50-ditor, ose në të kundërtën sanksionet do të hyjnë në fuqi.

Republikani bëri një kthesë të rëndësishme në qëndrimin e tij të hënën, kur i dha dritën jeshile dërgimit të armatimeve të rënda në Kiev, përfshirë sistemet e shumëkërkuara Patriot. Ai bëri të ditur se raketat Patriot janë dërguar tashmë nga Gjermania në Ukrainë.

Shefja e politikës së Jashtme të BE, Kaja Kallas, mirëpriti planin e Trump por tha se ai nuk duhet të marrë meritat për ndihmat nëse SHBA nuk ka vullnetin për të ndarë barrën. Duke komentuar këtë deklaratë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, tha se BE po financonte vdekjen e ukrainasve duke paguar për armatimet amerikane që do t’i dërgohen Kievit.

Kremlini këmbëngul se asnjë sasi e ndihmave ushtarake të Perëndimit, nuk do të ndikojë në ndryshimin e qëllimeve kryesore të Moskës në konflikt.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos