Siria ka thënë të hënën se Izraeli i ka dërguar 60 ushtarë për të marrë kontrollin e një zone brenda kufirit sirian, afër malit Hermon, në një operacion që ia ka shkelur sovranitetin dhe përbën kërcënim të mëtejmë për sigurinë rajonale.
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite ka thënë se trupat kanë kryer aktivitet rutinor në një zonë në jug të Sirisë, mirëpo nuk kanë operuar në Beit Jin, zonë e afërt me kufirin me Libanin dhe afër malit Hermon.
Ky incident vjen teksa dy shtetet janë të angazhuara në bisedimet e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara për ulje tensionesh në jug të Sirisë.
Damasku shpreson në arritjen e një marrëveshjeje për siguri, e cila më pas mund të hapte rrugën për bisedime më të gjera politike.
Ministria siriane ka thënë se incidenti i së hënës ka ndodhur në majën strategjike në drejtim të Beit Jinit. Sipas banorëve të zonës, Izraeli i ka arrestuar edhe gjashtë sirianë atje.
Ushtria izraelite ka thënë se nuk ka kryer arrestime në jug të Sirisë, mirëpo e ka ndaluar një person për ta marrë në pyetje, pasi janë identifikuar disa persona në atë zonë që ushtria i ka parë si rrezik.
Kjo zonë është e njohur për kontrabandim armësh nga grupi i Libanit, Hezbollah dhe fraksione tjera xhihadiste.
Hezbollahu, grup i afërt me Iranin, është i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera.
Izraeli i ka përmendur shqetësimet për sigurinë teksa i ka kryer disa intervenime ushtarake brenda Sirisë prej rënies së regjimit të Bashar al-Assadit në dhjetor, përfshirë atë që e sheh si obligim për t’i mbrojtur pjesëtarët e pakicës druze në jug të Sirisë.
Qindra persona janë raportuar të vrarë në përleshjet e muajit të kaluar në provincën jugore Sveida mes luftëtarëve druzë – fis beduin sunit – dhe forcave qeveritare.
Izraeli ka intervenuar me sulme ajrore për t’i parandaluar ato që i ka konsideruar vrasje masive të druzëve nga forcat qeveritare siriane.
Në janar, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka thënë se trupat izraelite do të mbeten në malin Hermon përgjithmonë.
Prej atëherë, Izraeli e ka formuar një zonë de facto të sigurisë. Aty i ka patrullat e veta, dhe kryen kërkime dhe bastitje nëpër fshatra./ REL (A2 Televizion)