Alfred Muharremi, anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN, tregon se nuk rrëfehej me njeri, por shkruante letra, të cilat më pas i griste në mëngjes.
“Nuk jam tip që jam rrëfyer, por kanë qenë gjithmonë letrat. Është për çudi që unë e shkruaja gjithmonë problemin ose shkruaja rrëfimin tim në darkë në një copë letër dhe gjithmonë në mëngjes e merrja atë letër dhe e grisja. Kjo ka qenë një nga botëkuptimet e mia, që atë letrën nuk dua ta lexojë askush dhe e kam pasur ndoshta dhe si ego që nuk do të doja kurrë që t'ia jepja kënaqësinë një njeriu të kënaqej me dhimbjen time dhe ajo letra tregonte tamam dhimbjen time. Kurse në botën reale isha njeriu që nuk ma ndjente për asgjë. Pra, nuk e tregoja asnjëherë atë dhimbjen që kisha vërtet në shpirt, por gjithmonë kisha atë qetësinë sepse dhimbja ime nuk do t'i bënte përshtypje askujt”, tha Muharremi.
“Unë mendoj që gjithsecili në jetë ka dhimbje. Unë nuk munda të them dot nënë e babë, por kisha një fat tjetër, që kisha mundësi që t'i thoja 60 njerëzve motra e vëllezër, që jo çdokush e ka këtë në jetë. Kështu që, duhet të marrësh më të mirën e asaj që të rezervon fati”, shtoi Muharremi. (A2 Televizion)