Fuqizimi i forcave të armatosura të Kosovës shqetëson dukshëm Serbinë. Debate të nxehta u zhvilluan këtë të enjte mbi ndryshimet e propozuara në ligjin për ushtrinë që do ta bëjnë praktikisht Vuçiçin komandant absolut suprem.
Projektligji parashikon që në të ardhmen, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë të komandojë “në përputhje me vendimet e Presidentit të vendit”. Por, çështja që ka ndezur ligjvënësit në seancën e kësaj të enjteje ishte fakti se, sipas tyre, projektligji nuk është mjaftueshëm i fortë përballë atyre që u cilësuan si kërcënime nga aleancat rajonale, shkruan A2.
Deputeti Branko Pavloviç nga lëvizja “Ne – Zëri i Popullit” paralajmëroi se Serbia po rrezikon interesat e veta strategjike, duke mos përfshirë shërbimin e detyruar ushtarak në ligj: “Jemi dëshmitarë se Kosova po ndërton ushtrinë e vet. Se Turqia po ndihmon masivisht në ndërtimin e një kompleksi të shqiptarëve në Kosovë. Jemi dëshmitarë se Kroacia dhe Shqipëria po krijojnë aleanca ushtarake me të ashtuquajturën Kosovë. E gjithë kjo së bashku përbën një kërcënim ekzistencial për Republikën e Serbisë dhe popullin serb. A po presim që shqiptarët në Kosovë të ndërtojnë plotësisht ushtrinë e tyre në mënyrë që të marrim masat që na duhen për të mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin në tërësi?”.
Pavloviç u shpreh se mungesa e shërbimit ushtarak e bën të pamundur formimin e një trupe të mirëfilltë luftëtarësh dhe se Serbia po i nënshtrohet presioneve të NATO-s, që, sipas tij, “nuk dëshiron të shohë një Serbi me kapacitet real për të ushtruar sovranitet në përputhje me Rezolutën 1244”.
Deputeti goditi edhe vendimin për blerjen e avionëve “Rafale” nga Franca, duke e quajtur “gabim strategjik”, pasi Parisi e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ai paralajmëroi se armët e blera mund të mbeten të papërdorshme në rast nevoje dhe se çmimi i lartë po zhvesh buxhetin nga fondet për prioritetet kombëtare, përfshirë ushtrinë. Debati pritet të ashpërsohet ditët në vijim, ndërsa qeveria kërkon fuqizimin e kontrollit presidencial mbi ushtrinë dhe opozita paralajmëron rrezikim të sigurisë kombëtare. (A2 Televizion)