Takimi Trump - Zelensky: Marrëveshja e paqes mund të arrihet brenda javësh

Nga A2 CNN
29 Dhjetor 2025, 07:18 | Bota

Takimi Trump - Zelensky: Marrëveshja e paqes mund të arrihet brenda

Presidenti amerikan Donald Trump u shfaq optimist pas takimit me homologun ukrainas Volodymyr Zelensky në Mar a lago, duke deklaruar se një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë mund të arrihet brenda disa javësh.

“Jemi shumë afër, disa do të thoshin 95%. Kemi bërë përparim të madh, edhe pse mbeten një ose dy çështje të vështira”, u shpreh Trump.

Një nga pikat më problematike mbetet Donbasi. Zelensky pranoi se qëndrimet e Ukrainës dhe Rusisë ende ndryshojnë, por theksoi se palët po afrohen drejt një zgjidhjeje. Trump shtoi se po punohet edhe për një armëpushim, ndonëse Kremlini ka shprehur rezerva, duke argumentuar se ai mund të zgjasë konfliktin.

Gjatë telefonatës me Valdimir Putin që i parapriu takimit dypalësh me Zelenskyn, Uashingtoni dhe Moska, raportoi Kremlini, ranë dakord që një armëpushim vetëm sa do të zgjaste armiqësitë.

"Po punojmë për këtë, e kuptoj Vladimir Putinin në këtë pikë", tha Trump.

Në fokus ishte edhe termocentrali bërthamor i Zaporizhias, për të cilin Trump tha se Vladimir Putin po punon me Ukrainën për ta rihapur. Sipas presidentit amerikan, si Zelensky ashtu edhe Putin “duan një marrëveshje” dhe bisedimet ndodhen në fazat e fundit.

Gjatë takimit, Trump dhe Zelensky u konsultuan edhe me udhëheqës evropianë, të cilët pritet të luajnë rol kyç në garantimin e sigurisë së Ukrainës. Bashkimi Evropian konfirmoi gatishmërinë për të mbështetur procesin, duke theksuar rëndësinë e garancive të forta të sigurisë. Pas këtij takimi, vëmendja tashmë është përqendruar te qëndrimi i Moskës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos