Një sulm rus ndërpreu energjinë elektrike në një pjesë të madhe të rajonit jugor të Odesës në Ukrainë, buzë Detit të Zi, ndërsa sulmet ndaj kryeqytetit ukrainas, Kievit, hynë në ditën e tyre të shtatë.
Në një taktikë të përdorur që nga java e kaluar, Moska ka dërguar grupe të mëdha dronësh – shumë prej të cilëve modele të shpejta me motorë reaktivë – për të goditur Kievin dhe rajonin përreth. Të martën, sulmet ajrore ruse vranë 12 persona në rajon, thanë zyrtarët. Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, njoftoi në Telegram se shtatë persona u plagosën dhe një ndërtesë banimi gjashtëkatëshe u shkatërrua pjesërisht pas një sulmi me dron, ndërsa një ndërtesë trekatëshe aty pranë ishte përfshirë nga flakët.
Sulmet dëmtuan gjithashtu një institucion mjekësor dhe shkaktuan zjarr në ambientet e një institucioni arsimor, thanë autoritetet e qytetit. Një kolonë tymi të zi u ngrit nga një lagje pranë ndërtesës së universitetit kombëtar dhe dëshmitarë të agjencisë Reuters kishin raportuar më herët të paktën tri shpërthime të fuqishme në qendër të qytetit.
Në rajonin e Kievit, dy persona u plagosën dhe u dëmtuan magazina e ndërtesa private, tha guvernatori Tymur Tkachenko.
Rusia kreu një sulm "masiv" me raketa dhe dronë ndaj infrastrukturës energjetike në rajonin e Odesës gjatë natës, njoftoi të mërkurën operatori i sistemit të transmetimit, Ukrenergo. Ministria e Energjisë e Ukrainës njoftoi se një numër i madh konsumatorësh kanë mbetur pa energji elektrike në rajon, ndërsa raportoi gjithashtu ndërprerje të energjisë në katër rajone të tjera.
Tetë persona, përfshirë një fëmijë, u plagosën në qytetin e Odesës, porti më i madh detar i Ukrainës, tha Serhiy Lysak, kreu i administratës ushtarake të qytetit. (A2 Televizion)