Pas rregullores së GJKKO, qeveria i lë pa pagë, gjyqtarët "kujtohen" për median

Nga Armand Bajrami
2 Shtator 2026, 19:04 | Kronikë

Ndërkohë që Gjykata e Posaçme nisi zbatimin e një rregulloreje që, mes rreshtash, i konsideron si të rrezikshëm gazetarët dhe i pengon ata në ushtrimin e detyrës, shoqatat e gjyqtarëve “trokasin” te media për të ndarë shqetësimin se qeveria u ka bllokuar pagat e muajit gusht.

Përmes një deklarate të përbashkët për median, Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata e Gjyqtarëve dhe Shoqata Kombëtare e Prokurorëve kanë shprehur shqetësim se pagat e magjistratëve, të funksionarëve të drejtësisë, personelit të administratës gjyqësore dhe prokurorisë nuk po ekzekutohen.

Sipas tyre, bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe vendimmarrjeve të KLGJ dhe KLP për përcaktimin e pagës referuese, pagat e reja duhet të nisnin nga 1 gushti. Por deri më datën 2 gusht, pagat janë dhënë vetëm në 2 prokurori në vend.

“Bëhet fjalë për një situatë që prek drejtpërdrejt funksionimin normal të sistemit të drejtësisë, sigurinë financiare të magjistratëve dhe efektivitetin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në reagimin e shoqatave të magjistratëve.

Më tej, ata kërkonin ndërhyrje të Ministrisë së Financave për zgjidhjen e situatës.

Por teksa shqetësimin, sipas tyre legjitim, kërkojnë ta shfaqin në publik përmes medias, asnjë nga shoqatat nuk ka reaguar deri më tani në lidhje me rregulloren e Gjykatës së Posaçme, që pengon gazetarët të mbajnë celularët në gjykatë, që i përcakton të bëjnë kërkesa me shkrim për të ndjekur një seancë, që sipas Kushtetutës dhe Kodit Penal janë të hapura dhe që e lë në dorë të kryesuesit të seancës përcaktimin e numrit të gazetarëve që mund të ndjekin një seancë gjyqësore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos