Evis Sala nuk arriti të dalë në anën tjetër të bregut. Pa mbushur ende një vit nga marrja e detyrës në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, ajo ka dorëzuar dorëheqjen.
Largimi nuk ishte një vendim i momentit. Burime nga stafi i saj bëjnë me dije se ishte një vendim i menduar dhe që kishte kohë që përflitej në korridoret e politikës.
Pasi ka dorëzuar dorëheqjen dhe i është pranuar nga kryeministri Rama, ministrja Sala ka folur me zë dhe figurë në rrjetet sociale. Në X, ajo rendit disa nga reformat e realizuara në fushën e onkologjisë, barnave dhe sektorë të tjerë.
Edhe pse është përfolur për një krisje të marrëdhënieve me kryeministrin Rama, Sala shpreh mirënjohjen ndaj tij për besimin që i dha. Largimin e argumentoi me karrierën shkencore dhe akademike në mjedisin ndërkombëtar.
Evis Sala mori detyrën në shtator të vitit të kaluar. Ajo ishte ministrja e vetme teknike e Edi Ramës në krye të Shëndetësisë, por njëkohësisht dhe me afatshkurtër në krye të këtij dikasteri. (A2 Televizion)