Qeveria talebane në Afganistan ka ndaluar librat e shkruar nga gratë në sistemin universitar, si pjesë e një rregulli të ri që ndalon gjithashtu mësimin e temave si të drejtat e njeriut dhe ngacmimi seksual.
Vendimi është marrë nga një komision i formuar nga "studiues dhe ekspertë fetarë" dhe është bërë publik në fund të muajit gusht.
Në total, 680 libra janë ndaluar, përfshirë rreth 140 tituj të shkruar nga gra, si edhe libra të botuar ose përkthyer nga autorë iranianë. Një prej librave të ndaluar është edhe ai me titull "Siguria në Laboratorin Kimik", që konsiderohet kundër parimeve të Sheriatit.
Përveç ndalimit të librave, talebanët kanë ndaluar edhe mësimdhënien e 18 lëndëve universitare.
Gjashtë prej tyre kanë të bëjnë posaçërisht me gratë, si “Roli i Grave në Komunikim”, “Gjinitë dhe Zhvillimi” dhe “Sociologjia e Grave”.
Zyrtarët talebanë thonë se këto masa janë në përputhje me interpretimin e tyre të Sheriatit dhe kulturës afgane. Megjithatë, shumë ekspertë dhe profesorë e shohin këtë si një goditje të rëndë ndaj arsimit dhe lirisë akademike.
Heqja e librave nga gratë dhe autorët iranianë pritet të krijojë një boshllëk të madh në sistemin arsimor afgan, duke e izoluar edhe më tej vendin nga bota akademike globale. Ndërkohë, vajzat ende nuk lejohen të ndjekin shkollën përtej klasës së gjashtë. (A2 Televizion)