Të shtëna në Zvicër, vritet një 22-vjeçare dhe plagosen 5 persona të tjerë

Nga A2 CNN
30 Gusht 2026, 12:19 | Bota

Të shtëna në Zvicër, vritet një 22-vjeçare dhe

Një 22-vjeçare ka humbur jetën dhe pesë persona të tjerë janë plagosur pas një sulmi me armë në qytetin Aarau, në veri të Zvicrës. Policia ka nisur një operacion të gjerë për kapjen e autorit, identiteti dhe motivet e të cilit mbeten ende të panjohura.

Ngjarja ndodhi në orët e para të së dielës, në ambientet e një piste garash me kuaj, ku po zhvillohej një event muzikor. Sipas policisë, viktima ndërroi jetë në vendngjarje.

Të plagosurit janë katër burra dhe një grua, të moshave nga 24 deri në 27 vjeç. Ata janë transportuar në spital, shkruan A2.

Policia u njoftua për të shtënat rreth orës 02:30 me kohën lokale. Autoritetet kanë rrethuar zonën përreth pistës së garave, pishinës dhe fushave sportive, ndërsa u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin zonën.

Një numër i madh efektivësh policie është vendosur edhe në zona të tjera përreth Aaraut, si masë paraprake.

Organizatorët e eventit deklaruan se aktiviteti u “hijezua nga një incident i rëndë” dhe falënderuan shërbimet e emergjencës për reagimin e tyre. Sipas organizatorëve, në event pritej të merrnin pjesë deri në 3,500 persona.

Policia u ka kërkuar dëshmitarëve të dorëzojnë fotografi dhe video të regjistruara në vendngjarje, të cilat mund të ndihmojnë në hetimin e rastit.

Aarau ndodhet rreth 46 kilometra në perëndim të Zyrihut dhe ka rreth 23 mijë banorë. Qyteti ndodhet gjithashtu më pak se 40 kilometra nga kufiri me Gjermaninë. Mediat gjermane raportojnë se autoritetet policore në anën gjermane po ofrojnë mbështetje për forcat zvicerane gjatë operacionit të kërkimit.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e rrethanave të sakta të sulmit dhe identifikimin e autorit.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos