Tensionet në Hormuz, Bahreini kërkon nga OKB autorizim për përdorimin e forcës

Nga A2 CNN
23 Mars 2026, 22:53 | Bota

Tensionet në Hormuz, Bahreini kërkon nga OKB autorizim për

Bahreini ka paraqitur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së një projekt-rezolutë që synon autorizimin e përdorimit të forcës për mbrojtjen e transportit detar në Ngushticën e Hormuzit, në sfondin e tensioneve mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.

Sipas draftit, vendeve do t’u lejohej të përdorin “të gjitha mjetet e nevojshme”, formulim që në diplomaci nënkupton edhe përdorimin e forcës ushtarake për të garantuar lirinë e navigimit dhe sigurinë e anijeve tregtare në këtë korridor strategjik.

Diplomatë ndërkombëtarë bëjnë të ditur se iniciativa mbështetet nga shtetet arabe të Gjirit dhe Shtetet e Bashkuara, por gjasat për miratim mbeten të ulëta për shkak të mundësisë së vetos nga Rusia dhe Kina.

Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një pikë kyçe për tregtinë globale të energjisë, pasi përmes saj kalon rreth një e pesta e furnizimeve botërore me naftë. Zhvillimet e fundit kanë rritur shqetësimet për sigurinë në këtë zonë, pas sulmeve ndaj anijeve dhe ndërprerjes së pjesshme të lëvizjes detare.

Projekt-rezoluta e cilëson Iranin si kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe i kërkon Teheranit të ndalojë menjëherë sulmet ndaj anijeve tregtare dhe çdo përpjekje për të penguar lirinë e navigimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos