Përplasja e presidentit amerikan Donald Trump me aleatët europianë për luftën me Iranin merr dimensione të reja. Pasi sugjeroi se do të reduktonte trupat amerikane në Gjermani, kreu i Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi një lëvizje të ngjashme edhe në Spanjë dhe Itali, raporton A2CNN.
“Po, ndoshta, ndoshta do ta bëj. Italia nuk ka qenë aspak ndihmë për ne. Dhe Spanja ka qenë e tmerrshme. Absolutisht e tmerrshme. Ne i kemi ndihmuar ata me Ukrainën. E di, ata e bënë rrëmujë Ukrainën, një rrëmujë totale. Dhe ne i ndihmuam edhe pse Ukraina nuk ka asnjë lidhje me ne, jemi të ndarë nga një oqean. Ka të bëjë me ta”, tha Trump.
Presidenti shtoi se lufta e udhëhequr nga SHBA në Iran ndihmon të gjithë botën, përfshirë Spanjën, Italinë dhe Gjermaninë, dhe kritikoi atë që i cilësoi “të ashtuquajturit aleatë” për mospjesëmarrje në përpjekjen për të eliminuar kërcënimin bërthamor.
“Kur ne kishim nevojë për ta, ata nuk ishin aty. Duhet ta mbajmë mend këtë. Nuk na u desh fare ndihmë me Iranin. Me Iranin e kishim nën kontroll që nga dita e parë, mbaroi menjëherë. Por unë u thashë se do të na pëlqente të na ndihmonit, sepse doja të shihja nëse do ta bënin. Dhe ata, në të gjitha rastet, thanë: ‘Nuk duam të përfshihemi.’ Dhe, e di, gjëja e habitshme është se ata e përdorin Ngushticën e Hormuzit. Ne jo, ne nuk e përdorim”, vijoi Presidenti amerikan.
Retorika e Trump ndaj aleatëve është përshkallëzuar ndjeshëm kohët e fundit, ndërsa një memo e brendshme e Pentagonit tregoi edhe qëllimin për të ndëshkuar aleatë si Spanja e Britania e Madhe për mungesën e bashkëpunimit me Iranin.
Paralajmërimi fillestar për tërheqje trupash nga Gjermania erdhi pasi kancelari Fridrih Merz kritikoi administratën Trump për mungesë strategjie dhe tha se Irani po poshtëronte amerikanët.
(A2 Televizion)