Themelohet “Bordi i Paqes’’, Trump: Do bashkëpunojmë me OKB, lufta në Ukrainë drejt zgjidhjes

Nga Rosalba Bejdo
22 Janar 2026, 14:37 | Bota

Në prani të 19 udhëheqësve dhe përfaqësuesve të shteteve, përfshirë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti amerikan Donald Trump shpalli krijimin e Bordit të Paqes, i cili, sipas tij, do të fokusohet fillimisht te Gaza, por më pas do të ketë një rol më të gjerë.

Megjithatë, mes shqetësimeve se organizmi i drejtuar prej tij mund të rivalizojë OKB-në si platforma kryesore për diplomacinë globale dhe zgjidhjen e konflikteve, Trump foli për bashkëpunim me Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ai përsëriti pretendimin se kishte zgjidhur tetë konflikte gjatë mandatit të tij dhe sugjeroi se një zgjidhje për Ukrainën do të vijë shumë shpejt. Sipas tij, lufta në Gaza po shkon drejt përfundimit dhe disa “zjarre të vogla” që digjen ende do të shuhen me lehtësi, shkruan A2 CNN.

“Do të kemi shumë sukses në Gaza. Do të jetë diçka e mrekullueshme për t’u parë dhe më pas mund të bëjmë gjëra të tjera. Pasi ky bord të formohet plotësisht, mund të bëjmë pothuajse çfarëdo që duam dhe do ta bëjmë këtë në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara. Gjithmonë kam thënë se OKB-ja ka një potencial të jashtëzakonshëm, por nuk e ka përdorur atë”, tha Trump.

Trump u ka bërë ftesë një sërë liderëve botërorë për t’iu bashkuar iniciativës, por deri më tani 35 shtete kanë konfirmuar pjesëmarrjen, përfshirë Turqinë, Egjiptin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bjellorusinë, Izraelin, Kosovën dhe Shqipërinë. Shumica e vendeve perëndimore dhe demokratike po hezitojnë ta pranojnë ftesën, me Francën, Suedinë dhe Italinë që e kanë refuzuar.

Në ceremoninë e nënshkrimit, këtë të enjte në Davos, morën pjesë përfaqësues dhe udhëheqës nga Arabia Saudite, Azerbajxhani, Armenia, Indonezia, Pakistani dhe Turqia, ndërsa munguan liderët e shumicës së vendeve të BE-së. Kryeministri bullgar dhe ai hungarez, Viktor Orbán, ishin të vetmit përfaqësues të bllokut.

U vu re gjithashtu mungesa e Izraelit dhe Palestinës. Ndërkohë, presidentja Vjosa Osmani, teksa u afrua për të hedhur firmën për Bordin e sapokrijuar të Paqes, shkëmbeu një përshëndetje të ngrohtë dhe disa fjalë të shkurtra me presidentin Trump, i cili më pas i shtrëngoi dorën në një tjetër gjest miqësor.

As kryeministri shqiptar Edi Rama dhe as ndonjë përfaqësues tjetër i Shqipërisë, e cila ka zyrtarizuar pjesëmarrjen në Bord, nuk ishin të pranishëm në ceremoninë e Davosit. Trump u ka kërkuar gjithashtu Kinës dhe Rusisë t’i bashkohen Bordit, ndërsa anëtarët e përhershëm do të duhet të kontribuojnë me 1 miliard dollarë.

Në fjalën e tij, sekretari i Shtetit, Marco Rubio, lavdëroi Bordin e Paqes dhe ia atribuoi Trumpit meritat për themelimin e tij. Rubio theksoi se detyra e Bordit, “së pari dhe mbi të gjitha”, është “të garantojë që marrëveshja e paqes në Gaza të jetë e qëndrueshme”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos