Xi Jingping përjetë besnik ndaj Partisë, edhe kur babai u përjashtua dhe ai u dërgua për riedukim

Nga A2 CNN
22 Janar 2026, 14:35 | Bota
Xi Jingping përjetë besnik ndaj Partisë, edhe kur babai u
Xi Jingping, i pari majtas, me babanë dhe vëllain e vogël. Viti 1958

Para se Xi Jinping të bëhej presidenti i fuqishëm që njeh sot bota, në majat e Partisë Komuniste Kineze ekzistonte një tjetër Xi: i ati, Zhongxun. Historiani amerikan Joseph Torigian, studiues i sistemeve autoritare dhe autor i një biografie të detajuar për Zhongxun, e përshkruan atë si një revolucionar të rëndësishëm dhe figurë kyçe të regjimit, besnik deri në fund ndaj Partisë, edhe pse vetë kishte përjetuar përndjekje të rënda brenda saj, shkruan “La Repubblica”, përcjell A2 CNN.

Zhongxun iu bashkua Partisë që në rini, në vitet ’30, dhe u ngrit në hierarki falë rolit të tij në krijimin e bazës komuniste në veriperëndim të Kinës, aty ku përfundoi edhe Marshimi i Gjatë i Mao Ce Dunit. Ky kontribut ishte vendimtar për statusin e tij pas fitores së komunistëve. Në vitin 1953, ai u bë ministër i Propagandës, në një periudhë kur lindi edhe djali i tij, Xi Jinping.

Si pjesë e elitës revolucionare, Zhongxun dhe bashkëshortja e tij ushtronin një disiplinë shumë të rreptë mbi fëmijët. Ata kishin frikë se “princat e kuq”, fëmijët e udhëheqësve, do të rriteshin të përkëdhelur dhe të paaftë për të trashëguar idealet e revolucionit. Xi Jinping u arsimua në shkolla me disiplinë ushtarake dhe edukim të fortë patriotik.

Në vitin 1962, karriera e Zhongxun mori një kthesë dramatike: ai u spastrua politikisht, u përjashtua nga pushteti për 16 vjet dhe familja u persekutua rëndë gjatë Revolucionit Kulturor. Një nga vajzat e tij u vetëvra, ndërsa Xi Jinping u dërgua në fshat për “riedukim”. Megjithatë, as Zhongxun dhe as i biri nuk e braktisën besnikërinë ndaj Partisë dhe Mao Ce Dunit. Për Zhongxun, mohimi i Maos do të thoshte mohimin e gjithë jetës së tij dhe të vetë idesë se Partia ishte forca e vetme që mund të organizonte shoqërinë.

Pas rehabilitimit të Zhongxun në epokën e reformave, Xi Jinping nisi ngjitjen e tij politike në provinca. Sipas Torigian, fakti që ishte “bir i një eminence të kuqe” e ndihmoi, por edhe e pengoi: nepotizmi ishte i papëlqyer, ndërsa Xi e shihte veten si ndryshe nga princat e tjerë, sepse kishte vuajtur më shumë dhe i ishte përkushtuar plotësisht Partisë.

Torigian argumenton se shumë nga tiparet e Xi Jinping, disiplinë, fshehje e mendimeve të vërteta, besnikëri absolute, janë trashëgimi nga i ati. Ndryshe nga Zhongxun, që shpesh tregonte anën njerëzore dhe dyshimet e tij, Xi shfaqet si një figurë e ftohtë dhe e maskuar: një “makinë politike”, njëkohësisht fytyra dhe pa fytyrë e Partisë.

Sipas historianit, e ardhmja e Kinës nën Xi Jinping mbetet e hapur: ai mund të mbahet mend si udhëheqësi që siguroi stabilitet dhe rritje, ose si ai që i thelloi problemet dhe përshpejtoi ndryshimet e mëdha. Gjithçka do të varet nga menaxhimi i pasardhësit dhe nga aftësia për të bindur brezin e ri se sakrifica dhe vuajtja ia vlejnë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos