Tronditet Koreja e Jugut: Ish-presidenti dënohet me burgim të përjetshëm

Nga Rosalba Bejdo
19 Shkurt 2026, 11:57 | Bota

Një gjykatë koreano-jugore dënoi me burgim të përjetshëm ish-presidentin Yoon Suk Yeol, pasi e shpalli fajtor për organizimin e një kryengritjeje gjatë përpjekjes së tij në dhjetor të vitit 2024 për të vendosur ligjin ushtarak. Prokurorët kërkuan dënim me vdekje në çështjen gjyqësore që u ndoq me shumë interes në vendin e përçarë.

Në një sallë gjyqi të mbushur plot, gjyqtari deklaroi se ish-presidenti kishte komplotuar me atëherë ministrin e Mbrojtjes, Kim Yong-hyun, për të përmbysur rendin kushtetues duke dislokuar trupa në Parlament, me synimin për të paralizuar funksionet e tij.

Sipas gjyqtarit, Yoon kishte udhëhequr një numër zyrtarësh dhe trupash në aktivitete kriminale më 3 dhjetor 2024 dhe, për shkak të shpalljes së ligjit ushtarak, pati kosto të mëdha sociale.

Çështja ka përçarë vendin, me turma të mëdha protestuesish që u mblodhën jashtë gjykatës në momentin e shpalljes së vendimit. Yoon ka qenë pas hekurave edhe për një tjetër dënim, lidhur me urdhrin për ligjin ushtarak. Ai përballet gjithashtu me dy procese të tjera gjyqësore që lidhen me këtë rast.

I veshur me një kostum blu të errët, pa kravatë, Yoon, 65 vjeç, u pa me fytyrë të zbehtë teksa u lexuan dënimet për të dhe për shtatë të pandehur të tjerë, përfshirë Kim-in, ish-ministrin e Mbrojtjes, i cili mori 30 vjet burg, si edhe ish-zyrtarë të lartë të policisë.

Ndërsa përpjekja e Yoon-it për të shpallur ligjin ushtarak zgjati vetëm rreth gjashtë orë, përpara se të përballej me protesta të mëdha në rrugë dhe të rrëzohej me votë nga Parlamenti, ajo shkaktoi tronditje të forta në Korenë e Jugut, ekonomia e katërt më e madhe në Azi dhe prej kohësh e konsideruar si një nga demokracitë më të qëndrueshme në botë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos