Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndërmend të dërgojnë raketa me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë në mënyrë që Volodymyr Zelensky t'i përdorë për të synuar Moskën.
Këtë fakt e ka bërë të ditur Presidenti i SHBA-së, Donald Trump. I pyetur nëse Zelensky duhet të shënjestrojë Moskën dhe objektiva të tjera thellë brenda Rusisë, Trump u përgjigj: “Jo, nuk duhet.”
Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara “nuk kanë ndërmend të dërgojnë raketa me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë”.
Më herët, prestigjiozja “Financial Times” raportoi se Trump i kishte sugjeruar Zelenskyt që të sulmonte kryeqytetin rus gjatë një telefonate më 4 korrik. Burime pranë kësaj medie, thanë se kjo pasqyronte një dëshirë në rritje në Perëndim për ta “sjellë luftën më afër moskovitëve”, një term i përdorur zakonisht nga ukrainasit.
“Trump donte ta bënte Rusinë të ndjente dhimbjen dhe ta detyronte të pranonte paqen”, thotë një prej burimeve për “Financial Times” që citon telefonatën mes dy presidentëve.
Siç pohon “Washington Post”, Zelensky i kishte thënë se Ukraina mund të godiste qytetet ruse nëse Shtetet e Bashkuara i siguronin armatimet. (A2 Televizion)