Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se administrata e tij po "shqyrton" kërkesat ruse për heqjen e sanksioneve.
"Ne po i shikojmë të gjitha tani," tha Trump, raportojnë mediat e huaja.
Për bisedimet në përgjithësi, Trump tha: "Do të shohim se çfarë do të ndodhë, ne jemi në diskutime të thella me Rusinë dhe Ukrainën. Unë do të thoja se po shkon mirë."
Moska ka pretenduar se marrëveshja e armëpushimit të Detit të Zi varet nga heqja e sanksioneve perëndimore ndaj kompanive të plehrave dhe ushqimit.
Nga ana tjetër Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i ka hedhur poshtë si të rreme pretendimet e Moskës, duke thënë se Putin nuk e do armëpushimin, shkruan A2 CNN.
Udhëheqësi ukrainas tha se armëpushimi hyri në fuqi me njoftimin e tij më herët këtë pasdite. (A2 Televizion)