Presidenti amerikan, Donald Trump, thotë se arritja e një marrëveshjeje paqeje për luftën në Ukrainë është shumë pranë, shkruan A2 CNN.
Trump e bëri këtë deklaratë teksa po nisej për në Itali, ku do të marrë pjesë në ceremoninë e funeralit të Papa Françeskut dhe ndërkohë që i dërguari i tij, Steve Witkoff, po takohet me Presidentin rus Vladimir Putin, në Moskë.
“Gjërat po shkojnë mirë dhe mendoj se në fund do të arrijmë shumë marrëveshje të mira, përfshi edhe marrëveshje për tarifat dhe tregtinë”, tha Trump, shkruan A2 CNN.
“Do ta pasurojmë vendin tonë, por do të përpiqemi që ta nxjerrim nga lufta dhe të mund të shpëtojmë 5000 njerëz në javë, ky është synimi im. Dua të them, 5000 djem të rinj. Shumica e tyre janë ukrainas, rusë. Janë 5000 djem të rinj ukrainas dhe rusë dhe ky do të ishte një nder i madh nëse ia dal. Mendoj se jemi shumë pranë”, shtoi Trump. (A2 Televizion)