
Presidenti Donald Trump kërcënoi të hënën se do të mbështesë një tjetër sulm ndaj Iranit nëse ky vend përpiqet të rindërtojë programin e tij të raketave balistike.
“Po dëgjoj që Irani po përpiqet të ringrihet sërish dhe, nëse është kështu, do të na duhet t’i godasim përsëri”, tha Trump përpara një takimi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. “Do t’i godasim. Do t’i godasim fort”.
Presidenti shtoi se do të mbështeste një sulm ndaj Iranit “menjëherë” nëse ai përpiqet të rindërtojë kapacitetet e tij bërthamore, duke e këshilluar Republikën Islamike që në vend të kësaj të kërkojë një “marrëveshje” me Shtetet e Bashkuara.
“Kjo do të ishte më e mençur”, tha Trump. “Mund ta kishin bërë një marrëveshje herën e fundit, para se ne të ndërmerrnim një sulm të madh ndaj tyre”.
Shtetet e Bashkuara, më herët gjatë këtij viti, bombarduan tre objekte bërthamore në Iran, në një sulm që Trump e ka cilësuar më pas si një sukses të madh ushtarak. Por Netanyahu ka paralajmëruar javët e fundit se Irani po zgjeron sërish programin e tij të raketave balistike dhe pritet që këtë javë t’ia paraqesë Trumpit argumentin se mund të nevojiten veprime të tjera së shpejti. (A2 Televizion)