
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërkuar 152 milionë dollarë për të rihapur burgun famëkeq të Alcatraz, si pjesë e projektbuxhetit për vitin fiskal 2027.
I njohur ndryshe si “The Rock”, Alcatrazi ndodhet pranë Golden Gate Bridge në San Francisco dhe sot funksionon si një atraksion turistik i menaxhuar nga Shërbimi i Parkut Kombëtar.
Sipas planit, fondet do të përdoren për ta rindërtuar objektin si një burg të sigurisë së lartë me teknologji moderne, duke mbuluar fazën e parë të kostove. Propozimi është pjesë e një investimi më të gjerë prej 1.7 miliardë dollarësh për Byroja e Burgjeve e SHBA-së.
Megjithatë, iniciativa është pritur me skepticizëm nga politikanë në Kaliforni, të cilët kanë ngritur pikëpyetje për koston reale dhe vështirësitë praktike të funksionimit të një burgu në ishull, përfshirë mungesën e ujit të rrjedhshëm dhe sistemit të kanalizimeve, si dhe nevojën që çdo furnizim të transportohet me anije.
Ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e ka cilësuar propozimin “absurd” dhe një “shpërdorim të parave të taksapaguesve”, duke paralajmëruar edhe për humbjen e një monumenti ikonik.
Alcatrazi u mbyll në vitin 1963, kryesisht për shkak të kostove të larta të operimit, që në atë kohë ishin rreth trefishi i burgjeve të tjera federale. Aktualisht, ai gjeneron rreth 60 milionë dollarë të ardhura në vit si destinacion turistik. (A2 Televizion)