Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, bëri të ditur se administrata e tij do të “ulë pak tensionet” në Minesota, pas të shtënave të dyta fatale të një qytetari amerikan nga oficerët federalë të emigracionit atje.
“Në fund të fundit, ishte e tmerrshme. Të dyja rastet ishin të tmerrshme”, tha ai në një intervistë për Fox News.
Në fillim të janarit, Renee Good u qëllua për vdekje nga një oficer emigracioni, e ndjekur nga Alex Pretti, i cili u vra pasi u ndalua nga agjentët kufitarë fundjavën e kaluar. Episodi i fundit ringjalli protestat lokale dhe zemërimin publik në të gjithë vendin, dhe çoi në kritika nga ligjvënësit e të dyja partive. Vërejtjet e Trump janë shenja e fundit se administrata e tij po bën një hap prapa në operacionet në Minesota, shkruan A2.
“Në Minesota krimi ka rënë shumë. E dini pse? Sepse ne eliminuam mijëra kriminelë nga Minesota dhe kjo është arsyeja pse situata është mirë”, tha Trump.
Më tej, duke folur me gazetarët përpara një tubimi në Iowa, Trump refuzoi ta quante Alex Pretti-n “një terrorist vendas”: “Sigurisht që ai nuk duhet të mbante armë. Por, në fund të fundit, të gjithë në këtë dhomë e shohim këtë si një incident shumë të pafat. Të gjithë, përveç nëse jeni budallenj. Incident shumë i pafat. Nuk më pëlqen që ai kishte një armë. Nuk më pëlqen që ai kishte dy karikatorë të mbushur plot. Këto janë shumë gjëra të këqija. Dhe pavarësisht kësaj, do të thoja se është një ngjarje shumë e pafat”.
Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, tha menjëherë pas të shtënave se Pretti “nuk ishte atje për të protestuar në mënyrë paqësore, por për të përjetësuar dhunën” dhe e akuzoi atë për “terrorizëm të brendshëm”.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare ka thënë gjithashtu se agjentët qëlluan në vetëmbrojtje, pasi Pretti u rezistoi përpjekjeve për ta çarmatosur. Autoritetet lokale thanë se arma ishte e regjistruar ligjërisht dhe se Pretti u qëllua pasi arma e zjarrit iu hoq. Një hetim është duke u zhvilluar, ndërsa administrata tërhoqi komandantin Bovino dhe mijëra agjentë federalë të ICE. (A2 Televizion)