Trump lë Zelenskin pa “Patriotë”, Ukraina i vë flakën sërish Rusisë, Putin do testojë NATO-n

Nga Xhevahir Qardaku
7 Gusht 2026, 11:33 | Bota

Një ditë e re agon në Rusi… bashkë me të edhe një tjetër valë sulmesh nga Ukraina. Forcat e Kievit goditën sërish me dron një objekt të shitësit online Wildberries. Sulmi shkaktoi zjarr në një nga qendrat logjistike të kompanisë në Jekaterinburg.

Vetë Wildberries njoftoi për incidentin, i cituar nga agjencia ruse TASS, duke theksuar se stafi ishte evakuuar në kohë. Nga ana tjetër, Rusia u është përgjigjur sulmeve të fundit me bombardime të përsëritura ndaj objekteve të kompanive të ngjashme në Ukrainë, shkruan A2CNN. 

Ndërkohë, nga Uashingtoni vijnë lajme jo të mira për Kievin. Presidenti amerikan Donald Trump hodhi poshtë kërkesën e homologut ukrainas Volodymyr Zelensky për raketa të reja me rreze të gjatë veprimi dhe bateri Patriot, duke e justifikuar vendimin me nevojën për të rritur rezervat ushtarake të Shteteve të Bashkuara.

Trump kritikoi administratën e mëparshme, duke pretenduar se Joe Biden kishte shpenzuar pajisje ushtarake me vlerë 300 miliardë dollarë dhe kishte dobësuar rezervat amerikane në fund të mandatit të tij të parë.

Ndërkohë, një raport i ri i inteligjencës amerikane, i publikuar nga The Wall Street Journal, parashikon një skenar që më parë konsiderohej i pamundur: Vladimir Putin mund të testojë vendosmërinë e NATO-s në vitet e ardhshme përmes një sulmi të drejtpërdrejtë ndaj një vendi anëtar të Aleancës.

Sipas vlerësimeve të analistëve, skenarët e mundshëm variojnë nga një ofensivë e madhe kibernetike deri te një ndërhyrje e kufizuar tokësore.

Ky rivlerësim i inteligjencës amerikane sinjalizon një ndryshim në analizat strategjike, të cilat deri më tani vlerësonin se Kremlini do të shmangte një përballje të drejtpërdrejtë me NATO-n, ndërsa vazhdon luftën në Ukrainë.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos