Erdogan viziton Arabinë Saudite, në fokus siguria rajonale dhe bashkëpunimi në mbrojtje

Nga A2 CNN
7 Gusht 2026, 08:24 | Bota

Erdogan viziton Arabinë Saudite, në fokus siguria rajonale dhe

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, do të zhvillojë këtë të premte një vizitë njëditore pune në Arabinë Saudite, ku pritet të takohet me Princin e Kurorës Mohammed bin Salman dhe kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif.

Sipas Presidencës turke, bisedimet do të përqendrohen në marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet rajonale, ndërsa mediat ndërkombëtare raportojnë se në axhendë janë edhe siguria detare, pasojat e konfliktit SHBA-Izrael me Iranin dhe bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes.

Raportime jozyrtare sugjerojnë se Turqia, Arabia Saudite dhe Pakistani mund të nënshkruajnë një marrëveshje trepalëshe të mbrojtjes. Megjithatë, asnjë prej tre qeverive nuk e ka konfirmuar zyrtarisht këtë informacion, shkruan A2CNN. 

Vizita zhvillohet në një periudhë tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, pas sulmeve dhe përshkallëzimit të situatës në Gjirin Persik, Detin e Kuq dhe Ngushticën e Hormuzit. Arabia Saudite ka nisur së fundmi një iniciativë shumëkombëshe për sigurinë detare, e mbështetur edhe nga Turqia dhe Pakistani.

Kjo është vizita e dytë e Erdoganit në Arabinë Saudite gjatë këtij viti. Gjatë takimit të fundit, në shkurt, Ankara dhe Riadi u zotuan të forcojnë bashkëpunimin në ekonomi, energji dhe mbrojtje, si dhe shprehën mbështetje për stabilitetin rajonal dhe përpjekjet diplomatike në Gaza dhe Jemen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos