
Trafiku i anijeve në Ngushticën e Hormuzit ka shënuar një rënie të ndjeshme këtë javë, sipas të dhënave të kompanisë për monitorimin e anijeve Kpler, të cituara nga Reuters.
Sipas raportit, nga e hëna deri të enjten nëpër ngushticë kanë kaluar vetëm 33 anije, krahasuar me 50 anije gjatë së njëjtës periudhë të javës së kaluar.
Vetëm katër anije kaluan të enjten, mes tyre supercisterna Nissos Kea, e cila transportonte rreth dy milionë fuçi naftë Basrah të ngarkuara në Irak, shkruan A2CNN.
Tre anijet e tjera ishin dy transportues të gazit të lëngshëm të naftës (LPG) dhe një anije e vogël mallrash. Në total, këtë javë vetëm gjashtë cisterna me naftë kanë dalë nga Ngushtica e Hormuzit.
Ndërkohë, trafiku në Ngushticën Bab al-Mandeb në Detin e Kuq ka shënuar rritje. Sipas Kpler, 26 anije kaluan të enjten, nga 19 një ditë më parë. Kompania tjetër e monitorimit detar LSEG, duke përdorur një metodologji tjetër të gjurmimit, regjistroi 28 anije gjatë së njëjtës periudhë. (A2 Televizion)