Trump njofton kthesën e papritur në Lindjen e Mesme: Tërheqje nga Bejruti dhe dialog me Iranin

Nga A2 CNN
1 Qershor 2026, 22:56 | Bota

Trump njofton kthesën e papritur në Lindjen e Mesme: Tërheqje nga

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë të ditur detaje nga biseda telefonike që zhvilloi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke deklaruar se është rënë dakord që të mos ketë dislokim të trupave izraelite në Bejrut.

Përmes një postimi në platformën Truth Social, Trump e cilësoi telefonatën me Netanyahun si “shumë produktive”, ndërsa theksoi se forcat që ishin nisur drejt kryeqytetit libanez kanë marrë urdhër të tërhiqen.

“Pata një bisedë telefonike shumë produktive me kryeministrin e Izraelit, Bibi Netanyahu. Nuk do të ketë trupa që do të shkojnë në Bejrut dhe ato që ishin në lëvizje janë tërhequr tashmë”, shkroi Trump.

Presidenti amerikan bëri të ditur gjithashtu se ka pasur komunikime indirekte edhe me Hezbollahun përmes përfaqësuesve të nivelit të lartë, duke i cilësuar ato si pozitive.

“Së bashku me përfaqësues të lartë zhvillova një bisedë shumë të mirë me Hezbollahun dhe ata ranë dakord që të ndalen të gjitha shkëmbimet e zjarrit. Izraeli nuk do t’i sulmojë ata dhe ata nuk do të sulmojnë Izraelin”, deklaroi Trump.

Sipas tij, mosdislokimi i trupave në Bejrut ishte një nga kushtet e vendosura nga Irani për vazhdimin e kontakteve me SHBA-në, në kuadër të përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje që do t’i jepte fund konfliktit në Lindjen e Mesme.

Trump njoftoi gjithashtu se negociatat me Teheranin po vijojnë pa ndërprerje.

“Bisedimet me Republikën Islamike të Iranit po vazhdojnë me ritme të shpejta. Ju faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje”, shkroi ai.

Deklaratat e presidentit amerikan vijnë në një moment tensionesh të larta në rajon, ndërsa përpjekjet diplomatike për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit duket se po intensifikohen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos