Udhëheqësja e opozitës venezueliane, Maria Corina Machado, i dorwzoi medaljen e saj të Çmimit Nobel për Paqen, presidentit të SHBA-së, Donald Trump, të enjten gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, në një përpjekje për të ndikuar në përpjekjet e tij për të formësuar të ardhmen politike të vendit të saj.
Në një postim në rrjetet sociale të enjten në mbrëmje, Trump shkroi: “Maria më dha Çmimin Nobel për Paqen për punën që kam bërë. Një gjest kaq i mrekullueshëm respekti të ndërsjellë. Faleminderit Maria!”, përcjell A2 CNN.

Machado, e cila e përshkroi takimin si "të shkëlqyer", tha se dhurata ishte në shenjë njohjeje të asaj që ajo e quajti angazhimin e tij për lirinë e popullit venezuelian.
Shtëpia e Bardhë më vonë postoi një foto të Trump dhe Machado, ku presidenti mbante lart një kornizë të madhe me ngjyrë ari ku shfaqej medalja.
Teksti shoqërues shkruante, "Presidentit Donald J. Trump në Mirënjohje për Lidershipin Tuaj të Jashtëzakonshëm në Promovimin e Paqes nëpërmjet Forcës", dhe e etiketonte gjestin si një "Simbol Personal Mirënjohjeje në emër të Popullit Venezuelian", shkruan A2 CNN.

Machado, një kritike e ashpër e ish-liderit të Venezuelës, Nicolás Maduro, fitoi çmimin vitin e kaluar për fushatën e saj për demokraci më të madhe. Tani ajo po e linte medaljen në Shtëpinë e Bardhë, duke shpresuar mbështetjen e SHBA-së në luftën për të udhëhequr të ardhmen e Venezuelës pas Maduros.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka dëshiruar prej kohësh, një Çmimin Nobel për Paqen. Ai ka shprehur prej kohësh interes për të fituar çmimin dhe herë pas here e ka lidhur atë me arritjet diplomatike, por Instituti Norvegjez i Nobelit ka thënë se çmimi nuk mund të transferohet, ndahet ose revokohet, raporton A2 CNN.
Machado është një nga dy figurat që garojnë për udhëheqjen e një Venezuele pas Maduros. Trump e ka emëruar ish-nënpresidenten e Maduros, Delcy Rodriguez, si presidente të përkohshme, edhe pse ajo ishte një person i afërt me regjimin për një kohë të gjatë. (A2 Televizion)