Trump: SHBA do të marrë uraniumin e pasuruar të Iranit nëse arrihet marrëveshja

Nga A2 CNN
23 Mars 2026, 18:29 | Bota

Trump: SHBA do të marrë uraniumin e pasuruar të Iranit nëse

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se në rast të një marrëveshjeje me Iran, Shtetet e Bashkuara do të marrin vetë uraniumin e pasuruar të këtij vendi.

Duke folur për gazetarët, Trump u shpreh se procesi do të ishte i thjeshtë: “Nëse kemi një marrëveshje me ta, do të shkojmë dhe do ta marrim vetë”.

Ai theksoi se ekziston një vullnet i ndërsjellë për marrëveshje, duke shtuar se si Washingtoni ashtu edhe Teherani janë të interesuar për të arritur një dakordësi. Sipas tij, kontaktet mes palëve pritet të vazhdojnë, madje edhe në nivel telefonik, ndërsa një takim i drejtpërdrejtë mund të ndodhë “shumë shpejt”.

Trump përmendi gjithashtu se është zhvilluar një raund i fundit bisedimesh, ndonëse këto janë mohuar nga pala iraniane.

Sa i përket situatës në terren, ai komentoi edhe mundësinë e një pauze pesëditore të sulmeve ndaj objekteve energjetike iraniane, duke paralajmëruar se gjithçka do të varet nga ecuria e negociatave: nëse ato shkojnë mirë, mund të arrihet një zgjidhje, në të kundërt, sipas tij, sulmet do të vazhdojnë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos