SHBA shpreson të arrijë një marrëveshje me Rusinë për një armëpushim në Detin e Zi. Kjo bëhet e ditur nga Agjencia Ndërkombëtare e lajmeve Reuters. Zyrtarët amerikanë dhe rusë filluan bisedimet në Arabinë Saudite të hënën me qëllim arritjen e përparimit drejt një armëpushimi të gjerë në Ukrainë.
Bisedimet, të cilat pasuan bisedimet e SHBA me Ukrainën të dielën, vijnë pasi Presidenti i SHBA Donald Trump intensifikon përpjekjet e tij për t'i dhënë fund konfliktit tre-vjeçar pasi javën e kaluar ai foli si me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy ashtu edhe me presidentin rus Vladimir Putin.
Një burim i informuar mbi planifikimin për bisedimet tha për Reuters se pala amerikane drejtohej nga Andrew Peek, drejtor i lartë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë dhe Michael Anton, zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit. Shtëpia e Bardhë thotë se qëllimi i bisedimeve është arritja e një armëpushimi detar në Detin e Zi, duke lejuar lëvizjen e lirë të anijeve.
Rusia do të përfaqësohet nga Grigory Karasin, një ish-diplomat që tani është kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Këshillit të Federatës dhe Sergei Beseda, një këshilltar i drejtorit të Shërbimit Federal të Sigurisë.
Pas takimit të së dielës, Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov tha se bisedimet me delegacionin amerikan në Arabinë Saudite ishin "konstruktive dhe kuptimplote" dhe u fokusuan në diskutimin e sektorit të energjisë.
Sakaq, Mbrojtja ajrore e Rusisë thotë se ka kapur dhe shkatërruar 28 dronë ukrainas gjatë natës. Dymbëdhjetë drone u rrëzuan mbi kufirin me rajonin Kursk dhe rajonin jugor rus të Rostovit, njoftoi Ministria ruse e Mbrojtjes në Telegram.
Katër dronë të tjerë u kapën mbi gadishullin e Krimesë, mbi Krasnodar dhe mbi det. Rusia po kryen sulme ajrore në Kiev për të tretën natë radhazi. Sipas autoriteteve lokale, një person është plagosur dhe disa shtëpi janë dëmtuar në rajonin përreth kryeqytetit ukrainas. (A2 Televizion)