
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se do të zhvillojë një takim me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë për të marrë vendimin përfundimtar lidhur me situatën me Iranin.
Sipas tij, në qendër të diskutimeve është një listë kërkesash të Shteteve të Bashkuara ndaj Teheranit, ku përfshihen çështje si Ngushtica e Hormuzit dhe programi i uraniumit të pasuruar.
Trump tha se Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet e hapur për lundrim të lirë dhe pa tarifa, ndërsa kërkoi gjithashtu largimin e minave detare për të garantuar sigurinë e lundrimit. Sipas tij, një pjesë e tyre është neutralizuar tashmë nga forcat amerikane.
Ai shtoi gjithashtu se SHBA synon të sigurojë kontroll mbi uraniumin e pasuruar iranian, duke theksuar se Irani nuk duhet të pajiset kurrë me armë bërthamore.
Në deklaratat e tij, Trump u shpreh se anijet e bllokuara në zonën e konfliktit mund të rifillojnë lëvizjen drejt destinacioneve të tyre, ndërsa shtoi se nuk do të ketë shkëmbime financiare “deri në njoftim të mëtejshëm”.
Presidenti amerikan bëri të ditur se vendimi përfundimtar pritet të merret në një takim të posaçëm në Shtëpinë e Bardhë.
(A2 Televizion)