Ukraina nxjerr detajet e hetimit, ja çfarë u gjet në raketën e frikshme ruse Oreshnik

Nga Xhevahir Qardaku
29 Maj 2026, 19:09 | Bota

Ukraina nxjerr detajet e hetimit, ja çfarë u gjet në

Mes rrënojave të sulmeve ruse mbi Kievin, ekspertët ukrainas po analizojnë një tjetër front të luftës, teknologjinë e armëve moderne dhe betejën e sanksioneve ndërkombëtare. Në një ekspozim të rrallë për mediat, autoritetet ukrainase prezantuan pjesë të raketës ruse “Oreshnik”, një armë që sipas tyre po konsiderohet ndër më të vështirat për t’u ndalur në qiellin ukrainas.

Në tavolina të mbushura me mikroçipa, kabllo dhe sisteme elektronike të nxjerra nga raketat e rrëzuara, ekspertët ukrainas tregojnë se si Rusia vazhdon të ndërtojë arsenalin e saj, pavarësisht izolimit ekonomik dhe sanksioneve perëndimore.

“Po, është e vërtetë që sistemet strategjike të kësaj rakete përmbajnë vetëm mikroelektronikë të prodhuar në Rusi dhe Bjellorusi. Kjo është bërë për të shmangur varësinë nga teknologjia e huaj në programet strategjike raketore”, tha Vladyslav Vlasiuk, Komisioner i Ukrainës për sanksionet.

Por megjithëse “Oreshnik” përdor sisteme të brendshme, ekspertët ukrainas thonë se shumica e raketave balistike dhe dronëve rusë vazhdojnë të mbështeten te komponentët perëndimorë të kontrabanduar.

Në mesin e pjesëve të ekspozuara shfaqen mikroçipa me flamuj amerikanë, japonezë, gjermanë dhe zviceranë, një tregues se teknologjia perëndimore vazhdon të depërtojë në industrinë ushtarake ruse, pavarësisht kontrolleve të eksportit.

“Delegacioni amerikan u habit kur pa se komponentë të rinj amerikanë vazhdojnë të gjenden në armët ruse. Shpresoj që të njëjtat pyetje t’ia bëjnë edhe qeverisë amerikane”, u shpreh Vlasiuk.

Sipas ekspertëve ukrainas, pjesët e gjetura në raketën “Oreshnik” janë prodhuar para vitit 2017, por arma mbetet ende shumë e rrezikshme në fushëbetejë.

“Demonstrimi i kësaj rakete është një hap i madh dhe nuk duhet nënvlerësuar. Edhe pse teknologjikisht mund të konsiderohet e vjetëruar, ajo funksionon, nuk bllokohet nga lufta elektronike dhe është shumë e vështirë të rrëzohet”, theksoi Vlasiuk.

Pamjet dramatike nga sulmi rus mbi Kievin më 24 maj tregojnë pasojat e këtyre armëve: ndërtesa në flakë, tregje të shkatërruara, makina të djegura dhe zjarrfikës që luftojnë për të shpëtuar atë që ka mbetur. Ndërsa lufta hyn gjithnjë e më shumë në epokën e teknologjisë së avancuar, Ukraina po përpiqet të tregojë se beteja nuk zhvillohet vetëm në front, por edhe në laboratorë, fabrika dhe rrjetet globale të furnizimit.

Dhe pyetja që po shtrohet gjithnjë e më fort në Perëndim është: si po arrin Rusia të sigurojë ende teknologji të huaj për raketat dhe dronët e saj, pavarësisht sanksioneve më të ashpra në historinë moderne? (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos