Amerika dhe Ukraina kanë firmosur një marrëveshje për mineralet e rralla. Ministrja e ekonomisë Julia Svyrydenko tha se memorandumi i hapi rrugën, asaj që ajo e quajti një marrëveshje partneriteti ekonomik.
Ajo tha se një marrëveshje përfundimtare do të përfshinte gjithashtu një fond investimi për rindërtimin e Ukrainës. Zyrtarët amerikanë shprehën shpresën se një marrëveshje përfundimtare mund të arrihet deri në fund të javës së ardhshme.
Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj kërkesave për detaje të mëtejshme mbi kohën dhe përmbajtjen e paktit kornizë, raporton agjencia e lajmeve Reuters. Masa është një hap drejt një marrëveshjeje që do t'i lejonte SHBA-së akses në mineralet kritike të Ukrainës, si dhe në naftë dhe gaz.
Përplasja e fortë publike e Donald Trump me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë në shkurt, i kishte çuar përkohësisht negociatat jashtë kursit. Lideri amerikan konfirmoi paktin, por nuk pati fjalë të mira për homologun nga Kievi, teksa komentoi akuzën e tij drejtuar Kinës se ka furnizuar Rusinë me armë.
“Nuk e bëj Zelenskin përgjegjës, por nuk jam i kënaqur për faktin që ajo luftë nisi. Nuk do të niste kurrë nëse unë do të isha president. Do të kishin miliona njerëz të gjallë tani, por fatkeqësisht kanë vdekur. Kemi qytete që janë bërë shkrumb ehi nga raketat, bombat dhe plumbat. Jam i pakënaqur me të gjithë të përfshirët. Është një luftë. Kam folur shumë për të me presidentin Putin. Ai e dëshironte Ukrainën si sytë e ballit. Tani po përpiqem që ta ndaloj luftën, pasi siç e dini, Rusia është shumë më e madhe, sidomos ushtarakisht. Nëse je i zgjuar, nuk futesh në luftëra të tilla”, tha Trump.
Sa i përket negociatave për paqen, Uashingtonit po i mbaron durimi. Këtë e tregoi sekretari i shtetit, Marco Rubio, i cili pasi bisedimeve në Paris, kërkoi nga palët e përfshira në luftë që të tregojnë qartë shanset për paqe.
“Ne duhet të zbulojmë brenda disa ditëve nëse kjo paqe është e arritshme në një periudhë të shkurtër kohore, pasi nëse nuk është e tillë, atëherë ne duhet që të lëvizim përpara dhe të kthejmë faqe. Presidenti mendon kështu”, tha Rubio.
Ndër të tjera shtoi se kjo nuk është një luftë e Amerikës dhe përsëriti faktin që SHBA ka ndihmuar Ukrainën në 3 vitet e fundit, duke paralajmëruar që kjo ka marrë fund tani. (A2 Televizion)