Më pak trupa amerikanë në Europë nuk do të dobësojnë mbrojtjen e kontinentit. Kështu thotë komandanti i lartë i forcave aleate në Europë, Gjenerali Alexus Grynkeëich, teksa adreson shqetësimet mbi angazhimin e shteteve të bashkuara ndaj NATO.
“Jam besimplotë mbi kapacitetet e Europës dhe Kanadasë”, tha gjenerali që garantoi se ishin gati për t’iu përgjigjur çdo sfide apo befasie. Komentet e tij vijnë mes shqetësimeve mbi një tërheqje të mundshme të trupave amerikane nga Europa si pjesë e strategjisë së re të mbrojtjes së administratës Trump.
Rishikimi i pozicionimit të trupave nga ana e Trump, pritet të përfshijë zhvendosjet e forcave amerikane nga Europa, ku gjenden rreth 85 mijë trupa , në Indo paqësor. Zhvendosja ka filluar që tani, me SHBA që tërhoqi 800 ushtarë nga Rumania muajin e kaluar.
Në fjalën e tij, gjenerali pohoi gjithashtu se NATO duhet të jetë gati për t’iu përgjigjur kërcënimeve hibride nga Rusia.
“Kërcënimet hibride janë një problem real. Kohët e fundit kemi parë që incidentet me drone, kanë prekur edhe Poloninë. Kemi parë sabotimet në hekurudhën polake. Të gjitha këto janë pjesë e këtij rrjeti të aktiviteteve hibride dhe është diçka ndaj së cilës duhet të jemi në gjendje të reagojmë. Pra, së pari, mendoj se është e rëndësishme të themi se e dimë që Rusia qëndron pas disa prej tyre dhe publiku ynë duhet ta dijë këtë. Ata duhet të dinë gjithashtu se ne e kemi situatën nën kontroll, se kjo nuk përbën një kërcënim ekzistencial”.
Grynkewich shprehu shqetësimin se Moska mund të testojë mbrojtjen kolektive të NATO-s në të ardhmen e afërt, e po ashtu në periudhë më afatgjatë. Komandanti i lartë i forcave të NATO në Europë, njoftoi një ristrukturim të komandës, me synim forcimin e mbrojtjes në veri të aleancës. (A2 Televizion)