Trupat izraelite në ''zemër'' të Gazës, OBSH: Asgjë nuk e justifikon tmerrin e përjetuar nga civilët

Nga A2 CNN
8 Nëntor 2023, 17:19 | Bota

Për herë të parë në dekada po luftojmë nga zemra e Gazës.  Me këto fjalë kryeministri Benjamin Netanjahu ju drejtua ushtarëve izraelitë, teksa lufta kundër militantëve të Hamasit, hyri në një fazë të re.

Duke e cilësuar operacionin një sukses, Netanjahu përsëriti qëndrimin se nuk do të ketë armëpushim deri në lirimin e pengjeve izraelit.

Ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant tha se forcat izraelite kishin mësyrë Gazën nga veriu dhe jugu dhe gjendeshin tani në qendër të qytetit, ku janë të pozicionuara edhe bazat e Hamasit. Ushtria bëri të ditur se gjatë orëve të fundit kishin vrarë kreun e departamentit të armatimeve të Hamasit dhe një sërë militantësh të tjerë, dhe se ofensiva ajrore e tokësore kishte goditur rrjetet u tuneleve në enklavën e rrethuar.

Sipas një zëdhënësi, 14 mijë pozicione të terroristëve dhe 100 tunele ishin shkatërruar gjatë muajit të fundit. Sakaq, Hamas raportoi se godina banimi ishin bombarduar gjatë natës me pasojë vdekjen e një sërë civilëve.

Teksa numri i viktimave në Gaza i ka tejkaluar 10 300, Izraeli përballet me trysni të shtuan ndërkombëtare për fushatën ushtarake.

“Asgjë nuk e justifikon tmerrin e përjetuar nga civilët”, tha një zëdhënës i OBSH, teksa vlerësohet se 160 fëmijë vriten mesatarisht çdo ditë. Sakaq, më shumë se 600 shtetas të huaju evakuuan nga Gaza nga pika kufitare e Rafahut me Egjiptin, ditën e martë, numri më i lartë ky qe prej nisjes së evakuimeve javën e kaluar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos