Turqia teston “Bayraktar TB3”, droni i parë i armatosur ngrihet nga luftëanija me ndihmën e AI

Nga A2 CNN
23 Prill 2025, 12:52 | Bota

Bayraktar TB3, mjeti i parë ajror pa pilot i armatosur dhe i aftë për të operuar nga luftëanijet me pistë të shkurtër, përfundoi me sukses katër fluturime autonome nga anija amfibe e Turqisë TCG Anadolu.

Sipas një deklarate nga prodhuesi i dronëve Baykar, testi u krye në Gjirin e Saros si pjesë e fushatës për të vërtetuar aftësitë e plota autonome të ngritjes dhe uljes. Çdo fluturim u krye pa asnjë pajisje ndihmëse në ulje, duke shënuar një tjetër risi teknologjike.

Ndryshe nga paraardhësi i tij, TB3 është projektuar posaçërisht për operime nga platformat detare, veçanërisht nga aeroplanmbajtëse me pista të shkurtra si TCG Anadolu e Turqisë. Një nga karakteristikat e tij më të dukshme është mekanizmi i krahut të palosshëm, i cili lejon që droni të ruhet dhe të funksionojë në mënyrë më efikase në mjedise të kufizuara detare.

Sistemi i fluturimit me AI

Lëvizjet e dronit luftarak u ekzekutuan me mbështetjen e algoritmeve të inteligjencës artificiale të zhvilluara nga Baykar. Këto sisteme lejuan dronin të kryente nisje dhe ulje plotësisht autonome në platformën e anijes në lëvizje.

Sipas Baykar, TB3 tani ka regjistruar 1,016 orë fluturimi në total, duke përfshirë një fluturim 32 orësh qëndrueshmërie në dhjetor 2023, ku përshkoi 5,700 kilometra pa zbritur në tokë.

Aftësitë luftarake të dronit u testuan gjithashtu më 25 dhe 27 mars 2025, duke përdorur raketën supersonike IHA-122 të zhvilluar nga Roketsan. Ky test demonstroi aftësinë e goditjes me saktësi të TB3 nën lartësinë e vijës së shikimit, duke synuar një zonë 6×6 metra, me objektivin e caktuar nga një Bayraktar TB2 në ajër.

Në një test në lartësi të madhe më 25 qershor 2024, TB3 arriti lartësinë 11 km në qendrën e trajnimit në Kesan, i mundësuar nga motori TEI PD-170 i zhvilluar në vend.  Më 26 mars 2024, TB3 fluturoi me ASELFLIR-500, një sistem zbulimi elektro-optik i zhvilluar nga Aselsan.

Me krahë të palosshëm dhe aftësi komunikimi përtej vijës së shikimit, Bayraktar TB3 pritet të bëhet UAV-ja kryesore e armatosur në klasën e tij sapo t’i bashkohet Forcave Ajrore turke zyrtarisht.

Droni do të jetë në gjendje të operojë në distanca të gjata, duke mundësuar vëzhgimin, mbledhjen e inteligjencës dhe misionet e goditjes kundër objektivave jashtë shtetit, duke rritur ndjeshëm kapacitetin parandalues të sulemeve të Turqisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos