Në Kapelën Sistine në Vatikan u zhvillua seanca e parë e Konklavës për zgjedhjen e Papës së ri, por pa sukses. Pas më shumë se tre orësh diskutimesh mes 133 kardinalëve votues, doli tym i zi, që tregon mungesën e një marrëveshjeje për zgjedhjen e Papës së ri.
Mbledhja nisi rreth orës 17:30 pas mbylljes rituale të dyerve me thirrjen “extra omnes” (“jashtë të gjithë”).
Gjatë meshës “Pro eligendo Romano Pontifice” në Shën Pjetër, kardinali Giovanni Battista Re tha se “bota pret shumë nga Kisha për ruajtjen e vlerave themelore njerëzore dhe shpirtërore”. Ai gjithashtu i uroi "dyfish" kardinalit Parolin gjatë ndarjes së paqes, shkruan A2 CNN.
Raundi i radhës i votimeve do të zhvillohet të enjten, me katër votime në total: dy në mëngjes dhe dy pasdite. (A2 Televizion)