Ukraina i lejon burrat e moshave 18-22 vjeç të udhëtojnë jashtë vendit

Nga A2 CNN
26 Gusht 2025, 20:25 | Bota

Ukraina i lejon burrat e moshave 18-22 vjeç të udhëtojnë

Burrat ukrainas të moshave 18-22 vjeç tani do të mund të udhëtojnë jashtë vendit, kanë thënë autoritetet në Kiev, duke i zbutur rregullat e një ligji që kishte për qëllim të garantonte se ushtria do të kishte mjaftueshëm rekrutë për të luftuar kundër pushtimit rus.

Prej nisjes së luftës së plotë të Rusisë në Ukrainë, burrat ukrainas të moshave 18-60 vjeç është dashur të kenë autorizim për t’u larguar nga Ukraina.

Mijëra burra tentojnë të kalojnë kufirin ilegalisht brenda vitit, shpeshherë edhe nëpër pikëkalime të vështira.

“Qeveria e ka përditësuar procedurën për kalim të kufijve kombëtarë. Burrat e moshave 18 deri në 22 vjeç mund ta kalojnë kufirin pa u penguar në periudhën e gjendjes së luftës”, ka thënë kryeministrja ukrainase, Yulia Svyrydenko përmes një postimi në Telegram.

Ajo ka thënë se vendimi i mbulon “të gjithë shtetasit” e asaj grup-moshe, përfshirë ata që janë në shtete tjera dhe që dëshirojnë të kthehen në Ukrainë dhe më pas të largohen sërish.

“Ne duam që ukrainasit t’i ruajnë lidhjet me Ukrainën sa më shumë që është e mundur”, ka shtuar ajo.

Burrat e moshave 18-22 vjeç nuk preken nga thirrja kombëtare për ushtri, e cila aktualisht vlen për burrat prej 25 vjeç e më lart.

Ushtria e Ukrainës ka tentuar t’i nxisë vullnetarët më të rinj se 25 vjeç që të bëhen pjesë e ushtrisë, përmes përfitimeve të shumta financiare, mirëpo nuk e ka arritur rezultatin e synuar.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, rreth 5.6 milionë ukrainas jetojnë jashtë shtetit, shumica në shtetet evropiane.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos