Forcat Ajrore të Ukrainës shkatërruan një anije të flotës ruse në Detin e Zi, e cila dyshohet se ishte e ngarkuar me dronë iranianë Shahed, të përdorur nga Moska në konfliktin kundër Kievit.
"Anija Novocherkassk u shkatërrua nga pilotët tanë", raportoi Forca Ajrore e Ukrainës në Telegram.
Ushtria e Kievit nuk e specifikoi vendndodhjen e sulmit, por komandanti i Forcave Ajrore të Ukrainës, Mykola Oleshchuk, publikoi një video ku tregohej një shpërthim në bazën detare ruse në Feodosia në Krimenë e pushtuar.
Ndërkohë, Kievi zyrtar hodhi poshtë deklaratat e ushtrisë ruse se qyteti i Marinkës, pranë Donetskut ka rënë në duart e tyre.
Një zëdhënës i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Chtoupoun, tha se ishte e gabuar të thuhej se qyteti kontrollohej tërësisht nga rusët.
"Lufta për Marinkën vazhdon", siguroi ai, duke shtuar se ka ende ushtarë ukrainas në qytet, i cili është i shkatërruar plotësisht. (A2 Televizion)