Ushtria e Kolumbisë në kufi, venezuelianët flasin për CNN mbi rrëzimin e Maduros

Nga Xhevahir Qardaku
6 Janar 2026, 23:46 | Bota

Kjo është forca që komandantët kolumbianë duan që bota të shohë dhe ndoshta mbi të gjitha Uashingtoni.

David Culver, korrespondent i CNN, shprehet: “Është mbrëmje vonë dhe po ndjekim disa nga patrullat e shumta që janë shtrirë përgjatë mbi 1.300 miljeve të kufirit mes Kolumbisë dhe Venezuelës”.

Qeveria thotë se ka dislokuar rreth 30 mijë trupa kolumbiane në kufirin lindor.

“Komandantët ushtarakë theksojnë se prioriteti i tyre kryesor është siguria dhe stabiliteti. Mund të duket si përshkallëzim, por ata insistojnë se bëhet fjalë për përgatitje për çdo skenar të mundshëm. Megjithatë, është e pamundur të injorohet koha: gjithçka po ndodh në momentin kur vëmendja dhe presioni nga Uashingtoni po rriten”, shprehet Culver.

Në çdo orë të ditës, prania e ushtrisë kolumbiane këtu është gjithnjë e më e dukshme. Prioriteti i tyre tani është kundërshtimi i akuzave nga administrata Trump se Kolumbia nuk po bën mjaftueshëm për të ndalur organizatat kriminale dhe trafikun e drogës përtej kufirit. Autoritetet janë të palëkundura se fokusi i tyre është garantimi dhe mbrojtja e sovranitetit të Kolumbisë dhe mbi të gjitha i qytetarëve të saj. Dhe megjithatë, pavarësisht kësaj shfaqjeje force, jeta këtu për momentin vazhdon normalisht, përcjell A2.

“Mund të shihen flukse të vazhdueshme njerëzish që hyjnë nga Venezuela në Kolumbi. Kjo është ura Simon Bolivar, që të çon drejtpërdrejt në Venezuelë”, thekson Culver.

Ose jashtë nga Venezuela, si në rastin e Marías, qoftë edhe vetëm për disa orë. Ajo ka një takim mjekësor në Kolumbi. Ajo thotë se gjithçka është e qetë. María është ndër ata që ende jetojnë në Venezuelë dhe që pranon para kamerës se është më e lumtur pa Maduron në pushtet. Sipas saj, që nga momenti kur Maduro u bë president, gjithçka filloi të përkeqësohej dhe shpreson që vendi të rikthehet si më parë.

Në një komunitet malor thuajse të harruar pranë Kukutás, në Kolumbi, shumë nga ata që takojmë ëndërrojnë një të ardhme më të mirë për Venezuelën. 

Ky është në thelb një vendbanim emigrantësh. Ka madje më shumë venezuelianë sesa kolumbianë. Kjo familje u largua nga Venezuela dy vite më parë, duke zgjedhur që të qëndrojë sa më pranë atdheut të saj. Ajo thotë se do të donte shumë të kthehej. Shtëpia e tyre është jashtëzakonisht modeste: një dhomë gjumi, ujë dhe energji elektrike. Internetin e ndajnë me fqinjët. Kjo është edhe kuzhina e tyre. Megjithatë, ajo këmbëngul se jeta këtu është më e mirë sesa përtej kufirit. Sipas saj, jeta në Venezuelë ishte jashtëzakonisht e vështirë: edhe kur punoje, duhej të zgjidhje mes blerjes së ushqimit apo rrobave.

Ajo është një nga afro 3 milionë venezuelianët që janë vendosur në Kolumbi vitet e fundit, diaspora më e madhe venezueliane jashtë vendit. Burri i saj donte të qëndronin afër atdheut, ndërsa ajo kishte frikë nga udhëtimi drejt Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, përpara se të kthehen, ajo, si shumica këtu, dëshiron të shohë ndryshime të qëndrueshme në Venezuelë. Ajo beson se SHBA-të mund të kontribuojnë për ta bërë Venezuelën një vend më të mirë, edhe nëse nuk mund t’i zgjidhin të gjitha problemet. Deri atëherë, kjo është shtëpia e tyre. Ajo tregon se tre vite më parë kjo zonë ishte në kaos, por komuniteti u bashkua dhe sot është një vend ku fëmijët mblidhen dhe luajnë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos