Phoebe Gates, vajza 22-vjeçare e bashkëthemeluesit të Microsoft-it, Bill Gates, ka zbuluar pa dashje një detaj rreth shëndetit të babait të saj.
Gjatë një interviste në podcastin e njohur Call Her Daddy, të drejtuar nga Alex Cooper, ajo përmendi në mënyrë të rastësishme se Gates ka sindromën e Aspergerit, një formë e spektrit të autizmit.
"Babai im është goxha i ngathët në aspektin social. Ai e ka thënë, se ka Asperger," u shpreh ajo thjesht gjatë bisedës, ndërsa tregonte se si është të sjellësh të dashurin në shtëpi për ta prezantuar me një nga figurat më të njohura dhe më të përfolura në botë.
Kjo deklaratë ngriti menjëherë dyshime dhe debat në rrjetet sociale, pasi vetë Bill Gates nuk e ka konfirmuar ndonjëherë publikisht një diagnozë të tillë.
Megjithatë, në kujtimet e tij të vitit 2023, Gates kishte përmendur se nëse do të ishte rritur sot, me shumë gjasë do të diagnostikohej me një çrregullim të spektrit autik. Ai ka treguar për vështirësitë në ndërveprimin social në fëmijëri dhe për tendencat për t'u fiksuar pas temave të caktuara, sjellje që lidhen ngushtë me Aspergerin.
Phoebe shtoi në podcast se sjellja e babait të saj shpesh e bën të ndjehet në siklet personi që ajo prezanton në shtëpi. Ajo kujtoi një moment të veçantë kur Gates i kishte dërguar në një ballo shkollore me makinë, një situatë që ajo e përshkroi si “shumë e sikletshme, por edhe qesharake”.
Deri më tani, Bill Gates nuk ka reaguar publikisht për komentet e vajzës së tij, por rrëfimi i saj ka nxitur interes të madh publik dhe diskutime të gjera mbi diagnozën dhe përhapjen e çrregullimeve të spektrit autik te personalitetet e njohura. (A2 Televizion)