Vala e të nxehtit në Europë: Kush paguan kur temperaturat e bëjnë punën të rrezikshme?

Nga A2 CNN
20 Gusht 2026, 12:58 | Bota

Vala e të nxehtit në Europë: Kush paguan kur temperaturat e

Kur temperaturat kalojnë nivele të caktuara, disa punonjës në Evropë mund të qëndrojnë në shtëpi pa humbur pagën; të tjerë mund ta zhvendosin turnin e tyre në orare më të freskëta gjatë ditës, ndërsa shumë miliona të tjerë vazhdojnë të punojnë pa mbrojtje specifike dhe të institucionalizuar, përveç vendimeve ad hoc të qeverive të tyre për të pezulluar aktivitete të caktuara, siç ka ndodhur në rastin e Greqisë.

E ashtuquajtura “leja për valët e të nxehtit” po fillon të përdoret në disa vende: në Spanjë zbatohet një “leje klimatike” e paguar, ndërsa Italia aktivizon një mekanizëm mbështetjeje për të ardhurat kur puna duhet të ndërpritet. Por debati vijon: Kush duhet ta përballojë barrën financiare kur temperaturat e larta e bëjnë punën të rrezikshme ose të pamundur? Punonjësi, punëdhënësi apo shteti?

Sipas një studimi të Institutit Evropian të Sindikatave (ETUI), rreth 130 milionë evropianë ekspozohen çdo vit ndaj stresit termik në vendin e punës. Vlerësohet se ekspozimi ndaj temperaturave të larta shkakton rreth 277 mijë dëmtime dhe 230 vdekje në vit.

Një tjetër studim, i kryer nga Agjencia Evropiane për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë (EU-OSHA), ka treguar se një në pesë punonjës në BE është ekspozuar ndaj temperaturave ekstreme gjatë 12 muajve të fundit. Shifra rritet në 35% te fermerët, peshkatarët dhe punonjësit e sektorit pyjor. Një në katër punonjës në sektorët e ndërtimit dhe energjisë është prekur. Dhe, për shkak të krizës klimatike, këto shifra pritet të vazhdojnë të rriten.

Andreas Flouris, profesor i fiziologjisë në Universitetin e Thesalisë dhe një nga autorët e studimit të ETUI, vlerëson se gjatë një vale të të nxehtit produktiviteti bie me 20-25% në vendet e Evropës Jugore dhe me 8-14% në Evropën Qendrore.

Sigurisht, edhe kjo e fundit po përballet gjithnjë e më shumë me valë të forta të të nxehtit; këtë vit, për shembull, Franca është prekur më shumë se Greqia.

Qasja e fragmentuar e vendeve evropiane ka bërë që Komisioni Evropian të deklarojë se rreziqet nga temperaturat e larta dhe kushtet e tjera ekstreme të motit nuk po trajtohen në mënyrë të mjaftueshme.

 

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos