Mbi vendimin për të shtyrë mbledhjen reaguan edhe dy deputetët e opozitës, Ledina Aliolli dhe Tedi Blushi, duke akuzuar socialistët për bllokim të vendimmarrjes së Këshillit Bashkiak Maliq dhe duke kundërshtuar edhe propozimin për ndarjen e re territoriale.
“Me një skenar tërësisht sot të përgatitur nga drejtuesi politik i qarkut të Korçës, Niko Peleshi, nga Gëzim Topçiu, vijnë këshilltarët dhe kërkojnë informacione të mëtejshme. Një pyetje kam sot. Çfarë informacione kërkojnë këta kur vetë Niko Peleshi dhe Gëzim Topçiu kanë qenë në takim me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama? Një gjë dua t'ju them këshilltarëve sot. Kur je anëtar i Këshillit Bashkiak je aty për të përfaqësuar interesin e qytetarëve të tu. Janë ata që të kanë zgjedhur. Nuk je për të përfaqësuar interesa partiake dhe më duket sot se interesat partiake prevaluan mbi interesat e qytetarëve. Kështu që në këto momente unë i bëj thirrje banorëve të Maliqit, tani fuqia është e juaja, e keni ju në dorë dhe ne do të jemi mbështetja juaj në mënyrë që Maliqi, bashkia Maliq të mos shkrihet dhe të mos bashkohet me bashkinë e Korçës. Partia Demokratike dhe opozita shqiptare ka një projekt shumë të qartë; 100 bashki, çka do të thotë që qytetari është në qendër të kësaj reforme dhe në qendër të këtij projekti, sepse shërbimet janë ato që na interesojnë sot për të qenë më pranë qytetarëve dhe sigurisht duhet të jetë bashkia më pranë qytetarit dhe jo qytetari më pranë bashkisë”, deklaroi Ledina Alolli.
“Megjithatë është për të ardhur keq që fati i Maliqit, fati i mijëra banorëve duart dhe punëtorë të kësaj treve është marrë peng sot nga Gëzim Topçiu i cili pasi mbaroi shtatë mandate si kryetar bashkie tani po bën një pazar të fëlliqur në kurriz të këtyre banorëve për të përfituar një post drejtori në administratën e ardhshme të bashkisë së Korçës, çka është totalisht e papranueshme. Dua të shpreh keqardhjen e thellë për qëndrimin e këshilltarëve bashkiakë të Partisë Socialiste, të cilët nuk arritën dot të ngrihen mbi interesat politike dhe të jenë në një linjë me interesat e të gjithë banorëve të Maliqit, të cilët kundërshtojnë masivisht shkrirjen e tyre me bashkinë e Korçës”, deklaroi Tedi Blushi. (A2 Televizion)