Shtetet e Bashkuara mund të konfirmojnë me siguri vetëm se kanë shkatërruar rreth një të tretën e arsenalit të madh raketor të Iranit, ndërsa lufta e SHBA-së dhe Izraelit kundër këtij vendi po i afrohet një mujorit. Këtë e thonë 5 zyrtare me dijeni mbi çështjen, për agjencinë e lajmeve “Reuters”.
Statusi i rreth një të trete tjetër është më pak i qartë, por bombardimet ka të ngjarë t’i kenë dëmtuar, shkatërruar ose varrosur ato raketa në tunele dhe bunkerë nëntokësorë, thanë katër nga burimet.
Burimet folën në kushte anonimiteti për shkak të natyrës së ndjeshme të informacionit. Një prej tyre tha se vlerësimi ishte i ngjashëm edhe për arsenalin e dronëve të Iranit, duke shtuar se ekziston një shkallë e caktuar sigurie se rreth një e treta e tyre është shkatërruar.
Ky vlerësim, i cili nuk është raportuar më parë, tregon se megjithëse shumica e raketave të Iranit janë ose të shkatërruara ose të paarritshme, Teherani ende ka një inventar të konsiderueshëm raketash dhe mund të jetë në gjendje të rikuperojë disa nga ato të varrosura ose të dëmtuara pasi të ndalen luftimet.
Ky informacion bie në kontrast me deklaratat publike të Presidentit Donald Trump të enjten, i cili tha se Irani kishte “shumë pak raketa të mbetura”. (A2 Televizion)