Brenda makinerisë së raketave iraniane, sa i fuqishëm është arsenali që sfidon SHBA dhe Izraelin

Nga Rosalba Bejdo
27 Mars 2026, 21:37 | Bota

Raketat dhe dronët iranianë vazhdojnë të godasin objekte kyçe energjetike dhe objektiva të tjera në vendet e Gjirit dhe në gjithë Lindjen e Mesme, pothuajse tre javë pas nisjes së luftës. Neutralizimi i kapaciteteve raketore dhe të dronëve të Iranit mbetet një nga objektivat kryesorë të luftës për Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, që nisën konfliktin më 28 shkurt. Por ky mision mund të rezultojë shumë më i vështirë nga sa parashikohej.

Ja pse: Një raketë balistike është një armë me shtytje raketore që drejtohet gjatë fazës së ngritjes, por më pas ndjek një trajektore të lirë në pjesën më të madhe të fluturimit. Ajo transporton koka luftarake – që mund të përmbajnë eksplozivë konvencionalë, por potencialisht edhe armë biologjike, kimike apo bërthamore – në distanca të ndryshme.

Fuqitë perëndimore e shohin arsenalin balistik të Iranit si një kërcënim serioz për stabilitetin në Lindjen e Mesme, por edhe si një mjet të mundshëm për shpërndarjen e armëve bërthamore, nëse Teherani do t’i zhvillonte ato. Irani e mohon një qëllim të tillë.

Behnam Ben Taleblu shprehet: “Raketat balistike ndryshojnë nga llojet e tjera të raketave, si për shembull raketat kruz. Raketat balistike fluturojnë lart dhe me shpejtësi të madhe, duke dalë nga atmosfera dhe më pas rikthehen në të. Ndërsa raketat kruz fluturojnë ulët dhe më ngadalë, pothuajse paralelisht me sipërfaqen e Tokës. Ato ndjekin relievin e terrenit mbi të cilin kalojnë, gjë që i bën më të vështira për t’u zbuluar nga sistemet e mbrojtjes ajrore dhe raketore. Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është se përdorin motorë të ndryshëm. Por dallimi kryesor është misioni i tyre. Ka raketa tokë-tokë, ku përfshihen si balistike ashtu edhe cruise, dhe raketa kundëranijeve, ku gjithashtu përfshihen të dyja llojet. Republika Islamike i ka të gjitha këto.”

Irani ka stokun më të madh të raketave balistike në Lindjen e Mesme, sipas inteligjencës amerikane.

“Besohet se Irani ka arsenalin më të madh të raketave balistike në rajon. Ai zotëron raketa me rreze shumë të shkurtër, të shkurtër dhe të mesme veprimi, si dhe një gamë të gjerë raketash kruz për sulme tokësore. Raketat balistike ndryshojnë nga ato kruz kryesisht për shkak të shpejtësisë, aftësisë për të dalë nga atmosfera dhe llojit të kokës luftarake që mbartin, si edhe motorit që përdorin. Pra, mund ta thjeshtojmë kështu: raketat balistike fluturojnë lart dhe shpejt, ndërsa raketat kruz ulët dhe ngadalë. Kanë kosto dhe shpejtësi të ndryshme. Të gjitha këto janë pjesë e arsenalit raketor iranian dhe janë sisteme të drejtuara, pra më të sakta. Kjo i dallon nga raketat e pa-drejtuara, siç janë raketat e thjeshta, të cilat janë të armatosura, por nuk kanë sistem drejtimi”, shprehet Ben Taleblu.

Ai ka vendosur vetë një kufi maksimal prej 2,000 kilometrash për rrezen e tyre, që zyrtarët iranianë thonë se është i mjaftueshëm për të goditur objektiva si Izraeli.

“Irani ka sisteme me rreze të afërt, të quajtura shpesh raketa balistike taktike, që mund të arrijnë deri në 300 kilometra. Ai disponon gjithashtu një numër të konsiderueshëm raketash balistike me rreze të shkurtër, me karburant të lëngshëm dhe të ngurtë, që variojnë nga 300 deri në 1,000 kilometra. Dhe më pas ka edhe raketa me rreze të mesme veprimi, që arrijnë deri në 2,000 kilometra.”

Shumë prej bazave raketore ndodhen në dhe përreth Teheranit. Të paktën pesë “qytete raketash” nëntokësore janë identifikuar në provinca të ndryshme, si Kermanshah dhe Semnan, si dhe pranë rajonit të Gjirit.

Arsenali përfshin disa raketa me rreze të gjatë veprimi që mund të arrijnë Izraelin, si Sejil me rreze 2,000 km, Emad – 1,700 km, Ghadr – 2,000 km, Shahab-3 – 1,300 km, Khorramshahr – 2,000 km dhe Hoveyzeh – 1,350 km. Sipas mediave iraniane, disa prej tyre mund të arrijnë shpejtësi shumë të larta dhe distanca edhe më të gjata.

“Ekzistojnë shqetësime shumë reale për zgjerimin e rrezes së fuqisë raketore iraniane. Bazuar në arsenalin e deklaruar, me një kufi rreth 2,000 kilometra, Irani mund të godasë pothuajse çdo instalacion ushtarak amerikan në zonën e operacioneve të CENTCOM. Ai mund të godasë praktikisht gjithë Lindjen e Mesme moderne, përfshirë edhe Turqinë, një aleate e NATO-s, ku ndodhet baza e Incirlikut. Por Irani ka edhe një program për lëshimin e mjeteve hapësinore dhe kapacitete që mund të zgjerohen, duke arritur potencialisht deri në 4,000 kilometra ose edhe më shumë”, vijon Ben Taleblu.

Gjatë luftës 12-ditore me Izraelin në qershor 2025, Irani lëshoi raketa balistike që shkaktuan viktima dhe dëme të konsiderueshme. Sipas vlerësimeve, Izraeli shkatërroi rreth një të tretën e lëshuesve të raketave iraniane gjatë atij konflikti, megjithëse Teherani pretendon se është rikuperuar.

Irani goditi gjithashtu edhe bazën amerikane Al Udeid në Katar, si përgjigje ndaj përfshirjes së SHBA-ve në luftë, por pa shkaktuar viktima, pasi kishte dhënë paralajmërim paraprak.

Në vitet e fundit, Irani ka përdorur raketa edhe: në Irak, kundër objektivave që i atribuoheshin Izraelit; në Siri, kundër militantëve të ISIS; në Pakistan, kundër grupeve militante baloçe.

Në vitin 2020, ai goditi forcat amerikane në Irak, si hakmarrje për vrasjen e gjeneralit Qassem Soleimani.

Benjamin Netanyahu shprehet: “Ata lëshuan një raketë balistike ndërkontinentale drejt Diego Garcias. Kjo është 4,000 kilometra larg. Unë kam paralajmëruar vazhdimisht për këtë. Tani ata kanë kapacitetin të godasin thellë në Europë. Madje kanë goditur tashmë vende europiane, si Qiproja. Ata po i vendosin të gjithë në shënjestër.”

“Edhe pse Irani ka lëshuar të paktën dy nga këto sisteme drejt ishullit Diego Garcia, që ndodhet rreth 3,800 deri në 4,200 kilometra larg territorit iranian, nëse e shohim trajektoren në drejtim të kundërt, kjo do të thotë se zona të mëdha jo vetëm të Europës Lindore, por edhe të Europës Qendrore dhe Perëndimore bien brenda rrezes së tyre. Në thelb, pjesa më e madhe e Europës kontinentale dhe qendrat kryesore të saj janë potencialisht të goditshme. Kjo do të thotë se shumica e bazave ushtarake të NATO-s në Europën Qendrore dhe Perëndimore do të ishin në rrezen e raketave balistike iraniane”, thotë Ben Taleblu.

Irani i konsideron raketat balistike si një mjet parandalimi dhe hakmarrjeje ndaj SHBA-ve, Izraelit dhe objektivave të tjera në rajon. Vendi ka zhvilluar depo nëntokësore, sisteme lëshimi dhe qendra prodhimi, ndërsa ka avancuar teknologjinë për të rritur rrezen dhe efikasitetin e raketave. Në vitin 2023, Teherani prezantoi edhe një raketë hipersonike – që mund të udhëtojë mbi pesë herë më shpejt se zëri dhe me trajektore komplekse, duke e bërë shumë të vështirë për t’u interceptuar.

Programi raketor iranian besohet se mbështetet në dizajne nga Koreja e Veriut dhe Rusia, si dhe në ndihmë teknologjike nga Kina.

“Për më shumë se një dekadë, Republika Islamike ka folur për ‘pyje raketash’ në depot e saj nëntokësore – baza dhe bunkerë ku prodhohen dhe ruhen raketat balistike. Regjimi ka përdorur media, rrjete sociale dhe televizione për të treguar këto baza, për të rritur efektin parandalues dhe për të theksuar madhësinë dhe cilësinë e arsenalit të tij. Këto janë struktura nëntokësore, disa të lidhura mes tyre, të tjera jo, që e bëjnë më të vështirë neutralizimin e kapaciteteve raketore. Ato janë të shpërndara në gjithë territorin – në perëndim, qendër, lindje dhe jug. Ka dalje të hapura në terren, nga ku dalin kamionët me lëshues raketash, që qëllojnë dhe më pas rikthehen sërish në bazat e fshehura, shpesh të ndërtuara në brendësi të maleve”, shprehet Ben Taleblu.

Por, sa ka mbetur nga arsenali iranian?

Kjo është një nga pyetjet kyçe që mund të përcaktojë rrjedhën e luftës. Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se kapacitetet balistike të Iranit janë “praktikisht të shkatërruara”. Por zyrtarë të tjerë amerikanë thonë se Irani ende ruan një pjesë të konsiderueshme të fuqisë së tij. Edhe Izraeli pretendon se kapacitetet janë dëmtuar rëndë, ndërsa Irani këmbëngul se nuk i ka shteruar rezervat dhe vazhdon prodhimin.

Megjithatë, mbajtja e këtij arsenali mund të bëhet gjithnjë e më e vështirë, për shkak të mungesës së furnizimeve nga aleatë si Rusia apo Kina, si dhe për shkak të shpërndarjes së armëve te grupet aleate si Hezbollah apo Houthit. Goditjet ndaj bazave të lëshimit mund të kufizojnë gjithashtu aftësinë e Iranit për të përdorur raketat. Nga ana tjetër, dronët mund të rezultojnë më të lehtë për t’u prodhuar dhe përdorur në mënyrë të vazhdueshme.

“Zemra e prodhimit të raketave balistike në Iran është goditur nga SHBA. Zona si Hojir, Parchin, Shahoud, si dhe Semnan dhe Isfahan janë sulmuar. Këto janë qendra kryesore për prodhimin, testimin dhe montimin e raketave. Është shumë e vështirë që regjimi të rikuperohet shpejt nga kjo goditje e rëndë – jo vetëm në kapacitet, por edhe në prodhim. Kjo është një nga sukseset kryesore të operacionit amerikan deri tani. Sa i përket mundësisë për ta kompensuar këtë, përmes lidhjeve më të forta me Rusinë apo Kinën – kjo mund të ndodhë në nivel teknologjik, por është pak e mundur që të marrin sisteme të plota. Më shumë gjasa ka të marrin asistencë për të zhvilluar kapacitetet e goditjes në distanca të gjata”, thotë Ben Taleblu.

Sipas Izraelit dhe vendeve të Gjirit, ritmi i sulmeve iraniane është ngadalësuar. Megjithatë, goditjet me raketa dhe dronë vazhdojnë. Objektiva energjetike në Katar dhe Kuvajt janë goditur së fundmi, ndërsa raketat drejt Arabisë Saudite janë interceptuar. Edhe një intensitet më i ulët i sulmeve përbën një rrezik të madh – jo vetëm për sigurinë rajonale, por edhe për zinxhirët globalë të furnizimit dhe tregjet energjetike.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos