Kryetari i Bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo, tha se në administratën vendore askush nuk duhet ta konsiderojë postin si pronë personale. Në një intervistë për emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, Tavo theksoi se shërbimi ndaj qytetarëve është prioriteti i vetëm.
“Për mua vijë e kuqe është për cilindo që mendon se karrigia është e tij. Karrigia është e atyre njerëzve të cilët ne kemi vendosur t’i shërbejnë. Ata që mendojnë se karrigen e kanë të tyre, apo i ka zënë gjumi, patjetër do të ketë vijë të kuqe.”
I pyetur nëse Himara do të ndjekë modelin e Bashkisë së Vlorës për të rekrutuar të rinj pa dallime politike, Tavo u shpreh i prerë se në bashkinë që ai drejton nuk ekziston asnjë lloj ndasie politike dhe garancia për këtë, sipas tij, është shembulli personal.
“Qëllimi i vetëm i të gjithë kësaj iniciative reformuese të administratës është vetëm shërbimi ndaj njerëzve. Nuk ka dallime politike. Në Himarë nuk ka aspak ndasi politike. Nëse do të gjeni një person në Bashkinë e Himarës që punon dhe i është kërkuar vota, unë deklaroj largimin tim nga Himara. Verifikojeni”, tha Tavo në “Off the Record”. (A2 Televizion)